2012-10-26 19:07:09

Festa e Kurban- Bajramit në Kosovë


Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, organeve dhe institucioneve të saj dhe në emrin e tij personal, Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, nëpërmjet një mesazhi ka u uruar festën e Kurban – Bajramit, e cila cila vjen si rezultat i kryerjes së Haxhit dhe prerjes së Kurbanit, dy obligime themelore në Islam. Haxhi dhe kurbani determinojnë secila në mënyrën e vetë vlerat më fisnike e më madhore për individin dhe shoqërinë.
Kurban- Bajrami, thuhet në mesazh, është festë që ka në vete vlerën e sakrificës, devotshmërisë, solidaritetit, humanitetit, drejtësisë e barazisë mes njerëzve, me vete bart porosinë e mirëqenies dhe paqes mbarënjerëzore. “Sot, në rrafshnaltën e Arafatit besimtarët nga të gjitha viset e botës me përkushtimin më të madh falënderojnë Allahun dhe i luten Atij për mëshirë e falje, për të vazhduar nesër me prerjen e Kurbanit, duke rikujtuar mëshirën e Allahut”.
Myftiu Tërnava në këtë ditë feste u bën thirrje të gjithë “njerëzve të vullnetit të mirë që të jenë më human e solidarë, më mëshirues e tolerantë, të ndihmojmë njëri tjetrin, skamnorët, jetimët, të vetmuarit dhe të gjithë ata që kanë nevojë”.
“Në këtë ditë feste e gëzimi, thërras të gjithë besimtarët, që në zemrën dhe shpirtin e tyre të shndrisë besimi i sinqertë. Besimi i cili motivon dhe fuqizon zemrat tona për unitet dhe vëllazërim mes njerëzve. Porosis që në mes nesh të mos ketë divergjenca e interesa parciale të çfarëdo lloji qofshin ato. Të bashkojmë forcën e besimit, atë intelektuale, guximin për të ecur përpara të sigurt, kjo është edhe porosia e Kurban – Bajramit”, thuhet në mesazhin e Myftiu të Kosovës, i cili ka uruar edhe për 100 vjetorin e shtetësisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, duke e lutur Allahun për unitet, mirëkuptim, tolerancë, mirëqenie, harmoni, begati, lumturi e mbarësi për të gjithë njerëzit.







All the contents on this site are copyrighted ©.