2012-10-25 10:42:12

Çelësi i fjalëve të Kishës: Besojma e krishterë, pjesa II


Dëgjues të nderuar, të enjten e kaluar filluam të shpjegojmë “Besojmën e krishterë”, duke e komentuar atë fjalë për fjalë. Paraqitëm vetëm pjesën e parë: “Besoj në një Hyj të vetëm, Atin e gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellit e të tokës, të të gjitha sendeve, që shihen dhe nuk shihen”. Sot vazhdojmë me pjesën e dytë.

Ne besojmë edhe në Vetjen e dytë të Trinisë Shenjte, i cili – edhe Ai – është Zot i vetëm, ashtu siç e thirrën apostujt kur u ringjall, pasi Jezusi i Ringjallur ishte vërtet Zoti i gjithçkaje, ngadhnjeu mbi gjithçka, edhe mbi vdekjen. Edhe Ai është i vetëm. Emri “Jezus” iu sugjerua shën Jozefit, drejtpërdrejt nga engjëjt(sendet që nuk shihen, siç thotë “Besojma”). Jezus, në hebraisht, do të thotë “Shpëtimtar”, por Ai u quajt edhe “Krisht”. Natyrisht, nuk është mbiemri ky. Kuptimi i kësaj fjale është “i vajuar, i shuguruar me vaj të bekuar”. Kështu duhej të ishte Mesia: mbret, meshtar, profet i popullit të Zotit. Jezusi është Mesia, i shuguruari i Hyjit për popullin e vet, për Kishën e për gjithë njerëzimin.

Jezusi është biri i vetëm i Hyjit. Ungjijtë thonë se Ai shpesh lutej, por kujt i lutej, nëse Ai vetë ishte Zot? I lutej Atit, edhe Ai i lutej Atit Qiellor. Ç’shembull i mrekullueshëm për të ndenjur pranë Atit, edhe për ne.

Duhet lexuar pa dyshim Ungjilli sipas Gjonit, që i vë në gojë Jezusit pikërisht këto fjalë. Nuk është lindje e zakonshme, si për çdo njeri, e madje, është lindje në amshim, që ekziston përherë, pasi në Zotin humbet koncepti i kohës. Zoti jeton në një kohë, që nuk studiohet në gramatikën e gjuhës. Ai ekziston në të tashmen e pafundme.

Këto fjalë, të rëndësishme, na thonë se Jezusi- Biri i Hyjit Atë nuk qëndron as më poshtë e as më lart se Zoti. Me imazhe të ndryshme, Kisha na shpjegon fragmente të së vërtetës mbi Hyjin, që konfirmohen më poshtë në “Besojmë”.

Kisha e ndjen të nevojshme të na përsërisë se Jezusi nuk është krijesë si ne: është Zot, ashtu si Ati, është i barabartë me të. Janë fjalë të varfëra për të shprehur diçka, që për ne mbetet “mister” i fesë.

Interesante kjo! Zoti Atë është Krijues, por vepron përmes Jezusit. Ndoshta këtu, arrijmë të kuptojmë diçka mbi Trininë Shenjte, hyjnisht e bashkuar në Një.

“Vdiq për mua” thoshte një shenjt për Jezusin, duke reflektuar, krejtësisht i mahnitur nga kjo e vërtetë. Kush e ndjen veten “të shpëtuar” sot? Na duket se jemi krejtësisht të pavarur, derisa vjen çasti kur nuk arrijmë t’i zgjidhim vetë problemet e atëherë, të gjithë në gjunjë për t’iu lutur një Zoti, që e kishim harruar. “Mallkuar qoftë njeriu që i beson njeriut – thotë Psalmi. Bekuar qoftë njeriu që beson në Zotin”. Jezusi lë qiellin, duke marrë me vete hyjninë e vet dhe zbret për ne mbi tokë. Nganjëherë pyesim si do të jetë ky qiell, por Jezusi na e ka thënë: është mbretëri, është Mbretëria Qiellore, në të cilën vepron ligji i Ungjillit. Natyrisht, tjetër botë, në krahasim me xhunglën në të cilën jetojmë.
Në emisionin e ardhshëm, do të vazhdojmë të shpjegojmë “Besojmën” e do të fillojmë pikërisht me çastin kur duket në të Zoja e Bekuar, për hir të së cilës, siç u tha në Sinodin e Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri, Kisha është shtëpia e shumë njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.