2012-10-25 14:08:57

I jepet emri i Benediktit XVI, Qendrës së re pediatrike në spitalin e Krishtit Fëmijë, në Romë.


Quhet “Qendra Benedikti XVI”, ajo që u përurua pranë Spitalit pediatrik të Krishtit Fëmijë, dy hapa larg Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve të Romës. Njoftimin e dha sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, që e bekoi ndërtesën dhe foli në takimin, mbajtur në Auditorin e qendrës së re, mbi temën “Të rejat e djeshme, kërkimi i sotëm shkencor, mjekimet e së nesërmes”. Të pranishëm në ceremoni, dy ministra italianë, ai i shëndetësisë, Balduci dhe i bashkëpunmit ndërkombëtar e integrimit, Rikardi.
“Më duket sikur pushtohet me një shikim të vetëm hovi drejt së resë, që thith e bën të vetin thesarin e traditës”: kështu u shpreh kardinali Bertone, pas lutjes së bekimit të ndërtesës moderne, që do ta nisë veprimtarinë që në muajt e parë të 2013-tës. Është Qendra më e madhe e më moderne në Evropë, kujtoi Hirësia e Tij. Këtu shkencëtarët italianë e të ardhur nga mbarë bota, do të punojnë për të gjetur e për të përdorur mjekime të reja për sëmundjet e rralla e të ndërlikuara. E do të jetë edhe qendër e formimit të lartë, ku dija e arritjet ndahen edhe me kolegët, për të përmirësuar kompetencat e aftësitë diagnostike e terapeutike, në shërbim të shëndetit të fëmijëve nga mbarë bota”.

Qendra spitalore e nisi veprimtarinë që në shtator, shpjegoi drejtori i Spitalit të Krishtit Fëmijë, Gjuzepe Profiti. Po ashtu edhe qendra e ambulancës dhe ajo e shtrimit njëditor. E duhet kujtuar se përveç qendrës së analizave dhe dy sallave të operacionit, me dy dhoma shtrimi pranë, sallave të mëdha të pritjes e zonave për të mëkuar fëmijët, ka edhe qendra lojërash, që nuk mund të mungonin, në një mjedis, ku jetojnë fëmijë të vegjël. Qendra shtrihet mbi një sipërfaqe prej 6 mijë metrash katrore. Nga selia e vogël e rrugës Zokolete, me 12 shtretër, hapur në vitin 1869, u arrit tek selia e mirënjohur e Gjanikolos e tek qendra tejet moderne e Shën Palit, me një park të mbuluar, që zë 200 auto, me lidhje të shkëlqyera edhe me transportet publike. “Dy pole të rëndësishme, njëri pranë tjetrit, nënvizoi kardinali Bertone: Bazilika e Shën Palit, që u kujton fenë shtegtarëve, ardhur nga të katër anët e botës, dhe Spitali i Krishtit Fëmijë, që u kujton shpresën për një ardhmëri plot shëndet ,një mori fëmijëve dhe familjeve të tyre, në Itali e jashtë saj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.