2012-10-25 15:04:11

600 milion vajza të vogla në botë jetojnë në vendet në zhvillim, në kushte të mjerueshme


Nga 600 milion adoleshentet, që jetojnë ne vendet në zhvillim, shumë janë të padukshme për strukturat dhe programet kombëtare. Miliona prej tyre jetojnë në kushte varfërie të plotë, viktima të diskriminimit dhe të pabarazisë. Ato pësojnë nga forma të ndryshme të dhunës, të abuzimit e të shfrytëzimit, ndër të cilat edhe detyrimi për punë e martesa e parakohshme. Në Amerikën Latine e në Karaibe regjistrohen lindje fëmijësh nga nëna me moshë 15-19 vjeç e ky fenomen është në rritje. Shumica e këtyre vajzave, që më pas janë të detyruara të rrisin fëmijët, apo të martohen, vijnë nga zona rurale dhe të varfëra. Shumë prej tyre janë viktima të dhunës seksuale.
Sipas statistikave të fundit të UNICEF-it, 70 milion të reja të moshës 20-24 vjeç janë martuar para 18 vjeçëve e 23 milion, para 15 vjeçëve. Në nivel botëror, 400 milion vajza janë martuar në moshë të vogël. E më tej, në Bolivi, mëse 800 mijë fëmijë nga mosha 5 deri në 17 vjeç punojnë jashtë çdo rregulli e norme kombëtare e ndërkombëtare. Ndër ta, 264 mijë janë vajza. Mëse një milion vajza të vogla bëjnë punë shtëpie, pasi familjet preferojnë të çojnë meshkujt në shkollë, duke penalizuar femrat.








All the contents on this site are copyrighted ©.