2012-10-24 13:11:03

Ipeshkvijtë latino-amerikanë në Sinod: Kisha t’i pranojë gabimet


Imzot Santiago Jaime Silva Retamales, ipeshkëv-ndihmës i Valparaisos (Kili), sekretar i Këshillit episkopal latinoamerikan dhe zëdhënës i grupeve të gjuhës spanjolle në Sinod, duke folur në Asamblenë e ipeshkvijve kushtuar Ungjillëzimit të ri, kërkoi që Kisha ta shqyrtojë thellë ndërgjegjen e vet. E kjo, pohoi prelati në emër të sivëllezërve të tij, sepse ne po flasim për ungjillëzimin e ri, jo vetëm pse të tjerët kanë ndryshuar. Ka arritur çasti të pyesim: “Cilat janë mëkatet e Kishës, që sollën domosdomërinë e Ungjillëzimit të Ri? Në se ky ungjillëzim quhet, e është i ri, nuk mund të mos pyesim, pse është i ri? Ç’ka humbur populli i krishterë? Ç’kërkonte nga Kisha, e nuk e gjeti?”.Sipas prelatit, është themelore të përcaktohen mirë marrëdhëniet e Kishës me botën e sotme. Në se nuk e bëjmë, vijoi imzot Retamales, do të vijojmë të krijojmë përshtypjen se jemi institucion, si gjithë të tjerët, e jo bashkësi, e mbledhur rreth Jezu Krishtit, në të cilën mirëpritet gjithçka njerëzore. Ungjillëzimi i ri, vijoi të shpjegojë sekretari i Konferencës ipeshkvnore latinoamerikane, duhet të ketë lidhje të ngushtë me kristologjinë dhe me antropologjinë. Nuk është e mundur ta kryejmë misionin e ungjillëzimit të ri, pa i hapur shpirtin tonë veprimit të Shpirtit Shenjt dhe hirit të tij. Është Shpirti ai, që do të na ngjallë gëzimin e harenë, me të cilat duhet të ungjillëzojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.