2012-10-24 15:16:16

Audienca e përgjithshme. Benedikti XVI: feja është dhuratë e Zotit dhe shprehje e lirisë së njeriut.


Feja është dhuratë e mbinatyrshme, por edhe shprehje e lirisë së njeriut, që vendos, me vetëdije, t’ia besojë vetveten dashurisë së Zotit, i cili e ndryshon jetën. Benedikti XVI ua përsëriti këtë të vërtetë fillestare mijëra njerëzve që, sot paradite, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, ndoqën katekizmin e tij të dytë kushtuar Vitit të Fesë.
Dhjetra vite planifikimesh, llogaritjesh të sakta, eksperimentesh, e shndërruan njerëzimin në një variant modern të Shën Tomës Apostull, që pati thënë: “Besoj, vetëm në atë që prek”. Prej këndej u nis reflektimi i Papës, kushtuar gjendjes së sotme të fesë në botë. Hovi e zelli i zanafillës, pohoi Ati i Shenjtë, përfunduan në vorbullën e mijëra pyetjeve. Njeriu modern pyet, sidomos, ç’është feja e a vijon të shërbejë akoma sot. Paralelisht, rritet besimi në shkencën e teknikën, rezultatet e të cilave mund të preken. Por, madhështia dhe rëndësia e zbulimeve të shkencës e të teknikës, që sollën me vete shumë lehtësira në jetën e njeriut, nuk e bënë këtë jetë më njerëzore, as njeriun, më të lirë:
Nganjëherë, duke u nisur nga disa ngjarje, që ndodhin çdo ditë, të krijohet përshtypja se bota nuk po shkon drejt ndërtimit të një bashkësie më vëllazërore e më paqësore; e edhe vetë idetë e progresit e të mirëqenies, flasin jo vetëm për dritë, por edhe për hije. Një farë tipi kulture, pastaj, e edukon njeriun të interesohet vetëm për sendet, vetëm për atë, që mund të realizohet; të besojë vetëm në atë, që e shikon me sytë e vet, e prek me duart e veta”.
Ky është problemi që lind, vijoi Papa, në zemrën e njeriut me vizion horizontal mbi realitetin. Por vetëm një vizion nuk mjafton, sepse, përtej dijes njerëzore, ka edhe një dije tjetër. Është ajo, që të çon drejtpërdrejt në zemrën e Zotit:
“Ne kemi nevojë jo vetëm për bukën e përditshme, por edhe për dashuri, për vlera, për shpresë, për një themel të sigurtë, një truall të fortë, që na ndihmon të jetojmë vërtetësisht edhe në kohë krize, në errësirë, në vështirësi e në mes të problemeve të përditshme. Feja na e jep pikërisht këtë: është lëshim plot besim në dorën e një Tjetri, në dorën e Zotit, i cili na dhuron një siguri të ndryshme, por jo më pak të fuqishme se ajo, që na jep përllogaritja e saktë ose shkenca”.
Feja, vijoi Benedikti XVI, është dhuratë, që vjen nga lart e, njëheresh, edhe veprim vërtetësisht njerëzor, besim në një dashuri, që nuk mungon kurrë, përballë ligësisë së njeriut. Dashuri, që ngushëllon. Që shpëton:
“Mendoj se duhet të meditojmë më shpesh në jetën tonë të përditshme, plot me probleme e situata, nganjëherë dramatike, për faktin se të besosh krishterisht, do të thotë ta lëshosh veten plot besim në dorën e Zotit, që mban njeriun e botën. E këtë siguri, këtë qartësi, që na e dhuron feja, duhet të jemi të aftë edhe ta kumtojmë me fjalë e ta dëshmojmë me jetën tonë, thellësisht të krishterë”.
Të besosh, nënvizoi më tej Papa, nuk është thjesht miratim intelektual nga ana e njeriut, por edhe, e kryesisht, akt i besimit në Zotin. Natyrisht nuk është bashkim pa përmbajtje të thellë. Feja na pajis me vetëdijen se Zoti u bë i prekshëm, u mishërua në Jezusin:
“Refuzimi, prandaj, nuk mund të na çkurajojë. Si të krishterë, jemi dëshmi e gjallë e këtij trualli pjellor; feja jonë, pavarësisht nga kufizimet vetjake, u tregon të gjithëve se nuk mungon toka e mirë, ku fara e Fjalës së Zotit prodhon fryte të begata drejtësie, paqeje, dashurie, humaniteti të ri, shëlbimi. Mbarë historia e Kishës, me gjithë problemet, dëshmon se ekziston edhe kjo tokë e mirë, e edhe fara e mirë, që sjell fryt”.
Nga vetëdija e fesë, tek dhuratat e saj. Në një botë, që dashuron më shumë materien, sesa shpirtin, predikimi i Ungjillit, tërhoqi vëmendjen Papa, mund të krijojë edhe rreziqe e, para së gjithash, refuzimin e Krishtit. Por, vërejti:
“... nuk është në kundërshtim as me lirinë e as me inteligjencën e njeriut. Madje e përfshin dhe e larton, në një bast jete, që i ngjet daljes, domethënë, daljes nga vetvetja, nga siguritë vetjake, nga skemat mendore, për t’ia besuar gjithçka veprimit të Zotit, i cili na tregon udhën e tij, për të fituar lirinë e mirëfilltë, identitetin njerëzor, gëzimin e vërtetë të zemrës, paqen me vetveten e me të tjerët”.
Gjatë përshëndetjeve të veçanta, pas katekizmit në gjuhë të ndryshme, Papa iu drejtua posaçërisht disa grupeve rregulltare, ndërmjet të cilave, Motrat e Zojës së Dhimbshme, të mbledhura në Kapitullin e tyre të përgjithshëm si dhe delegatëve të Bashkimit Apostolik të Klerit, në 150-vjetorin e themelimit.
Në fund, përshëndetja tradicionale, drejtuar të posamartuarve, të rinjve e të sëmurëve, duke u ndaluar posaçërisht tek figura e të Lumit Gjon Pali II:
“Të dashur të rinj, mësoni t’i bëni ballë jetës me gjithë zjarrin dhe entuziazmin e saj; të dashur të sëmurë, mbarteni me gëzim kryqin e vuajtjes, ashtu si diti të na mësojë Papa i lum; e ju, të posamartuar, ta keni gjithnjë Zotin në qendër të jetës, që historia juaj bashkëshortore të ketë më shumë dashuri e më shumë lumturi".







All the contents on this site are copyrighted ©.