2012-10-23 14:49:50

Në Sinod: Atë Taska: Ungjilli duhet të kalojë përmes të gjitha mjeteve të komunikimit.


Mjetet e komunikimit dhe mediat e reja duhet të vihen në shërbim të ungjillëzimit të ri. E kërkojnë Etërit sinodalë. Por që tv e radio të jenë udhë të vërteta për transmetimin e Ungjillit, është e nevojshme që punonjësit e komunikimit shoqëror të kenë identitet të qartë të krishterë. Kështu shprehet atë Marko Taska, epror i Urdhërit Françeskan të Fretërve të Vegjël Konventualë, i pranishëm në Sinod.
E intervistuam:

Përgjigje: - Besoj të jetë një nga instrumentet më të mëdha, që Zoti na ka dhënë në këtë kohë. E besoj edhe se gjëja më e rëndësishme është të përdoren me një identitet, e ta kenë të qartë identitetin e krishterë katolik, që të mund të ungjillëzojnë. Janë mjete, që krijojnë mundësitë për t’u afruar me të gjithë: me të gjithë ata, që dëgjojnë radion, televizionin, internetin, smartphonin e mjete të tjera... të gjitha mjete të mira.

Pyetje: - Ç’e dallon komunikatorin katolik nga komunikatori në kuptimin e përgjithshëm të kësaj fjale?

Përgjigje: - Besoj të jetë pikërisht kjo, që duhet ta dallojë: pasioni për Zotin Jezus, për Mbretërinë e tij, të cilën duhet ta kemi në shpirt, me bindjen se kemi një lajm të mirë për të dhënë, një gjë të mirë për njerëzit, për një jetë të përkryer, të realizuar, jetë të lumtur, që duke e jetuar, të mund të thuash: “Jeta ime është e bukur. Jam i lumtur, që po e gëzoj me Zotin Jezus, që po e jetoj sipas Ungjillit”.

Pyetje: - A janë mjetet masive të komunikimit të afta për transmetime me përmbajtje të rëndësishme, të thella, siç janë ato ungjillore?

Përgjigje: - Jam plotësisht i bindur se janë; varet nga mënyra si i përdorim, nga përmbajtja e asaj, që transmetojmë, nga stili ynë.

Pyetje: - A mund të themi se sot mjetet masive të komunikimit presin diçka të veçantë nga bota katolike?

Përgjigje: - Jam plotësisht i bindur se presin. Mjafton të mendojmë për nivelin e dëgjimit, që regjistrojnë radiot katolike. Njerëzit janë në kërkim të një fjale të vërtetë; të një fjale, që pasyron gjërat serioze të jetës. Ç’kuptim ka jeta ime? Për ku jam nisur? Prej nga vij? Ç’kuptim ka dhimbja? Vdekja? Dashuria? Njerëzit janë në kërkim të përgjigjeve për këto pyetjeje, ndoshta në mënyrë pak si të çuditshme, në mënyrë jo fort të qartë, jo fort të hapur, por gjithsesi, janë pyetje, që çdo njeri i ka në zemër. Prej këndej, është vërtet gjë e bukur, që ne të përpiqemi t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve.

Pyetje: - Pra, mund të themi se sfida është të shkojmë përtej nivelit të sipërfaqshëm, emotiv, që e karakterizon nganjëherë, mënyrën si bëhet informacioni?

Përgjigje: - Natyrisht. Jam plotësisht dakord me këtë. Ne nuk duhet të kopjojmë mënyrën e komunikimit, që përdor bota; nuk është jona! Ne duam të thellohemi tek pyetjet e njeriut të sotëm, në mënyrë që të mund të marrë përgjigjet e Ungjillit e të Kishës.

Pyetje: - Edhe ju dhatë kontrubutin tuaj në sallë; e një nga fragmentet e këtij kontributi është vërtet interesant. Po e kujtoj: “Në se bota e mediave përkufizohet si “masifikuese”, perspektiva e krishterë, e cila duhet të veprojë në to, duhet të jetë ajo, që e ndihmon njeriun të kuptojë origjinalitetin e tij”...

Përgjigje: - .. njeriun me gjithçka është. E ne jemi të thirrur të tregohemi të vëmendshëm ndaj këtij njeriu, në këtë situatë, me këtë histori, me këto pyetje, me këto shqetësime. E kjo është edhe sfida vigane, që kemi përballë ne, të krishterët. Të jemi të vëmendshëm ndaj mjeteve masifikuese, të vëmendshëm ndaj njeriut, ta dëgjojmë atë. Kjo është sfida, që jemi të thirrur ta marrim në dorë e ta çojmë përpara.







All the contents on this site are copyrighted ©.