2012-10-23 15:47:26

Imzot Frano Illia, në 15 vjetorin e vdekjes.


Duke shfletuar kalendarin historik, sot me 22 tetor, përkujtojmë në 15 vjetorin e vdekjes së Imzot Frano Illisë, kryeipeshkvi i parë i Shkodrës pas rënies së komunizmit në vitet 1993 – 1997.
Imzot Frano Illia lindi në fshatin Juban, pranë Shkodrës më 21 shkurt 1918. U shugurua meshtar më 18 dhjetor 1943. Shërbeu në Tiranë, Shkodër, Milot e rrethina. Më 1967 u arrestua, ndërsa më 25 prill 1968 u dënua me vdekje. Datë e shënuar në jetën e tij është 25 prilli i vitit 1993, sepse pikërisht 25 vjet pas këtij dënimi, shndërruar në burgim të përjetshëm, do të shugurohej ipeshkëv nga dora e vetë Papës Gjon Pali II gjatë vizitës së paharrueshme e historike në Shqipëri me 25 prill 1993.
Imzot Frano Illia u bë kështu kryeipeshkvi i parë metropolit i pas-diktaturës në Shkodër. Fitoi edhe titullin Profesor për punën e tij të palodhur në mbledhjen dhe kodifikimin e Kanunit të Skëndërbeut, vepër që pa dritën e shtypit shumë vjet pasi ishte përgatitur për botim.
Po ai mbeti gjithnjë meshtari i thjeshtë, dom Franoja, njeriu që ia kushtoi gjithë jetën elterit e kulturës kombëtare, Fesë e Atdheut. Kërkonte me këmbëngulje nga katolikët shenjtërimin e jetës e në kultivimin e kulturës. Shenjtërimit e kulturës i shërbeu gjithë jetën, duke punuar me kujdesin e dashurinë më të madh në misionin e tij meshtar, në njërën anë përherë besnik ndaj Ungjillit të Krishtit e në anën tjetër duke mos e lëshuar kurrë penën nga dora. La kështu pas një vepër që vijon t'i shërbejë kombit e popullit të vet, "Kanunin e Skandërbegut".
Sot, në 15 vjetorin e vdekjes së tij, kujtojmë se imzot Frano Illia, autor i "Kanuni i Skandërbegut" ishte njeri i dialogut, i paqes dhe i harmonisë. La pas veti edhe shembullin e punëtorit të palodhur të ekumenizmit, të meshtarit që bashkëpunoi tërë jetën me vëllezërit e besimeve të tjera, për të mirën e përbashkët e në emër të bashkimit kombëtar.
Duke ecur në gjurmët e traditës së krishterë ndër shqiptarë, Imzot Franoja jo vetëm që nuk hezitoi të fliste për vëllazërí të sinqertë e ruajtjen e bashkëjetesës në Shkodër e Shqipëri, por edhe organizoi personalisht mbrojtjen e ndërtesave të kultit të qytetit verior, duke ftuar përfaqësuesit e bashkësisë islame të ruanin Kishat e duke nisur meshtarët e vet në mbrojtje të xhamive të Shkodrës. Ishte një ngjarje e paparë ndonjë herë në historinë e kombit shqiptar kjo, që u regjistrua në analet e turbullirave të 1997-tës.
Kryeipeshkvi Frano Illia Jetoi me moton: "Edhe sikur të më premtojnë njëqind jetë, asnjenën nuk e due tue mohue fenë". Moto kjo që ruan ende sot vlerën e aktualitetit të mesazhit ungjillor. Vdiq më 22 tetor 1997.







All the contents on this site are copyrighted ©.