2012-10-22 14:39:31

Siri: ipeshkvi i Damaskut denoncon masakrën e së dielës. Qëllimi është të terrorizohen të krishterët


“Cili është mesazhi, që deshën të jepnin me masakrën e programuar të së dielës, pikërisht në Qytetin e Vjetër, ku përqendrohen kishat e krishtera? Është dhuna pa kuptim, që troket në portë, për të terrorizuar të krishterët e fundit, edhe ata të vuajtur?”. Këto pyetje bën kryeipeshkvi maronit i Damaskut, imzot Samir Nassar, i cili reagon pas bombës, që shpërtheu në zonën e krishterë të kryeqytetit sirian, duke shkaktuar 13 viktima e dhjetra të plagosur.
Imzot Nassar përshkruan për agjensinë kishtare Fides, skenat e panikut në të cilat ka qenë dëshmitar, me prindërit që vraponin të tmerruar për të kërkuar fëmijët e tyre në shkollat e lagjes, ndërsa sirenat e ambulancave e theksonin ndjenjën e padurueshme se po përpjetohej një çast apokalipsi. “Disa besimtarë – tregon ipeshkvi – u ulën në gjunjë, me rruzare në dorë, për t’iu lutur Zojës së Paqes, para Meshës, e cila filloi me 20 minuta vonesë… Unë kremtova meshën solemne, të dielën, në orën 18.00, vetëm për 23 vetë. Së bashku u lutëm për viktimat e paradites dhe për myslimanët, të cilët, në Siri, po përgatiten për të kremtuar festën e “Eid al Adha”, më 26 tetor, në një atmosferë dhimbjeje e heshtjeje”.
Kryeipeshkvi maronit vë në dukje se lagjja e atentatit Bab-Touma, deri tani, nuk ishte përfshirë nga dhuna, që i ka vënë zjarrin Sirisë, që nga 15 marsi 2011. Kjo lagje, kujton ai, është simbol edhe për martiriologun e krishterimit sirian, pasi në këto rrugica, përshkuar nga Shën Pali Apostull në kohën e kthimit të tij në rrugën e Zotit e të pagëzimit, marrë në Anani, çdo centimetër katror është vaditur me gjakun e 11 mijë martirëve, në vitin 1860.








All the contents on this site are copyrighted ©.