2012-10-22 10:38:37

Në shërbim të njeriut e të Ungjillit: me shembullin e Shenjtorëve të rinj, Papa inkurajon Etërit sinodalë dhe misionarët.


Asambleja sinodale, që matet me sfidën e ugjillëzimit të ri dhe misionarët, kujtuar posaçërisht në Ditën e djeshme Botërore Misionare: këto dy rrethana përkuan me kremtimin e madh, kryesuar nga Benedikti XVI në Sheshin e Shën Pjetrit, rrethuar nga Etërit sinodalë. Gjatë Meshës, ndjekur nga 80 mijë vetë, Papa shpalli Shenjtorë 7 të Lumë, me gjashtë kombësi të ndryshme: katër rregulltarë e tre shekullarë.
Ja emrat e tyre: Giacomo Berthieu, Pedro Calungsod, Giovanni Battista Piamarta, Maria del Monte Carmelo Sallés y Barangueras, Marianna Cope, Caterina Tekakwitha e Anna Schäffer.

“Kisha thellon vetëdijen se është e tëra në shërbim të përhershëm të njeriut e të Ungjillit, ashtu si Krishti, që dhuroi vetveten deri në flijimin e jetës”. Me këto fjalë Papa kujtoi shembullin e Shenjtorëve të rinj dhe përshëndeti Asamblenë sinodale:
“Ju drejtoj një përshëndetje të përzemërt të gjithë juve, që mbushni Sheshin e Shën Pjetrit, posaçërisht delegacioneve zyrtare dhe shtegtarëve, ardhur për të festuar shtatë Shenjtorët e rinj. Përshëndes përzemërsisht kardinajtë dhe ipeshkvijtë, të cilët këto ditë po marrin pjesë në Asamblenë sinodale kushtuar Ungjillëzimit të Ri”.
Benedikti XVI foli për përkimin fatlum, duke nënvizuar se i krishteri, si në trojet e largëta, ashtu edhe në ato të krishterimit të lashtë, është i thirrur ta dëshmojë e ta kumtojnë mesazhin e krishterë, duke u bërë një me Jezusin e duke ecur në gjurmët e Tij.
Prej këndej, Papa, me fjalët e Shën Markut, ripohoi: “Biri i njeriut erdhi të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë” (Mk. 10,45). Pohoi më pas, me forcë se shtatë Shenjtorët e rinj bënë pikërisht këtë, me guxim heroik e përkushtim të plotë ndaj Zotit, duke u shërbyer bujarisht vëllezërve, në emër të Tij:
“Shenjtëria e Kishës e ka gjithnjë burimin e vet në misterin e Shëlbimit, që na e kujtoi Izaia Profet në Leximin e parë: “Shërbëtori i Zotit është i Drejti, që do të shfajësojë shumë e do t’i marrë mbi vete fajet e tyre”(Iz. 53,11), është Jezu Krishti, i kryqëzuar, i ngjallur e i gjallë në lumni”.
E pastaj, kujtimi i shtatë Shenjtorëve, një për një.
Zhak Bertjë, i lindur në vitin 1838, në Francë, jezuit, shërbeu në Madagaskar, ku luftoi kundër padrejtësive, përkrah të varfërve e të sëmurëve, të cilëve ua lehtësoi vuajtjet e mundimet:
Jeta e këtij ungjillëzuesi qoftë inkurajim e model për meshtarët, që t’i ngjajnë e të jenë, si ai, njerëz të Zotit. Shembulli i tij i ndihmoftë të krishterët e shumtë, sot të perskutuar për shkak të fesë. Ndërmjetësimi i tij, në këtë Vit të Fesë, sjelltë fryte të begata për Madagaskarin dhe mbarë Kontinentin afrikan. Zoti e bekoftë popullin e Madagaskarit”.
Filipinasi Pedro Kalungsod, që jetoi në gjysmën e dytë të ‘600-tës, qe katekist me misionarët jezuitë. Jetën e tij të shkurtër e kaloi gjithnjë pranë popullsive të Chamoris. U shqua për fe e dashuri të thellë të krishterë, duke u bërë ballë, me guximin, që buron nga Zoti, zilive, shpifjeve, persekutimeve, deri në vdekje, deri në flijimin e jetës në lule të moshës:
Shembulli dhe dëshmia guximtare e Pedro Kalungsodit frymëzofshin popullsitë e dashura të Filipineve për ta kumtuar me forcë Mbretërinë e Zotit e për të fituar shpirtrat për Hyjin”.
Gjon Pagëzuesi Piamarta, prift i dioqezës së Breshias, qe apostull i madh i dashurisë së krishterë dhe i rinisë:
I pëlqente të ndalohej para të Shenjtnueshmit Sakrament, duke medituar mundimet, vdekjen e ngjalljen e Krishtit, prej nga thithte forcë shpirtërore e rinisej për të fituar zemrën e njerëzve, posaçërisht të rinjve, të cilëve u printe kah gurrat e jetës me nisma gjithnjë të reja baritore”.
Maria e Karmelit Salles i Barangueras, që u shqua për impenjim në fushën e arsimit, lindi në Spanjë, më 1848:
“Veprimtaria e saj edukative, besuar Zojës së Papërlyer, vijon të sjellë fryte të begata ndërmjet të rinjve, përmes impenjimit bujar të bijave të saj që, si ajo, e lëshojnë plotësisht veten në dorë të Zotit, për të cilin nuk ka asgjë të pamundur”.
Mariana Kope, e lindur në vitin 1838, në Hepenhaim të Gjermanisë, qe rregulltare e impenjuar posaçërisht në shërbim të të gërbulurve të Havait:
Kur mund të bëhej ende pak për ata, që vuanin nga kjo sëmundje e tmerrshme, Mariana Kope u shërbeu me dashurinë e entuziazmin më të lartë. Ajo është shembull i ndritshëm e i fuqishëm i traditës më të mirë katolike në shërbim të njeriut dhe i shpirtit të Shën Françeskut të saj të dashur”.
E, pastaj, figura e veçantë e Kateri Tekakuita, e lindur në shtetin e sotëm të Nju Jorkut, në vitin 1656, me baba indian irokez e nënë të krishterë algonkine. Është shenjtorja e parë lëkurëkuqe:
Kateri na prek thellë për veprimin e hirit në jetën e saj, në mungesë të ndihmave të tjera, si dhe për guximin në vokacionin e posaçëm të kulturës së saj. Në shpirtin e Kateri, feja e kultura pasurojnë njëra–tjetrën. Shembulli i saj na ndihmoftë të jetojmë atje ku jemi, pa mohuar atë që jemi, duke e dashur Jezusin! Shën Kateri, Pajtorja e Kanadasë, Shenjtorja e parë amerinde, ne ta besojmë përtëritjen e fesë në kombet e para dhe në të gjithë Amerikën e veriut. Hyji i bekoftë kombet e para!”.
Shën Ana Shefer, e lindur në Mindelshteten të Gjermanisë, e aksidentuar rëndë në punë, e kaloi pothuajse gjithë jetën në shtrat. Po një jetë kësisoji nuk ia zbehu aspak thirrjen, që i vinte nga Zoti, apostullimin e saj krejt të veçantë, gati të pabesueshëm:
“Apostullimi i saj i lutjes e i vuajtjes, i flijimit e i shpërblimit, qoftë shembull i ndritur për besimtarët e atdheut të saj; e ndërmjetësimi i Shenjtores e ndihmoftë lëvizjen e krishterë të strehëve shëndetësore për lehtësimin e vuajtjes (hospice) në shërbim të të sëmurëve në prag të vdekjes”.
Shenjtorët e rinj, vijoi Papa, janë me origjinë, gjuhë, kombe e gjendje shoqërore të ndryshme, por të bashkuar me mbarë popullin e Zotit në misionin e shëlbimit, në emër të Krishtit:Uroj që dëshmia e shenjtorëve të rinj, e jetës së tyre të dhuruar bujarisht për dashuri të Krishtit, t’i flasë sot mbarë Kishës e ndërmjetësimi i tyre ta forcojë e ta ndihmojë në misionin për t’ia kumtuar Ungjillin gjithë botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.