2012-10-21 14:13:12

Në Sinod. Paraqiten temat e relacionit përfundimtar: Kisha mbështetet mbi laikët dhe katekistët.


Famullia, roli i shekullarëve dhe i katekistëve, por edhe impenjimi i meshtarëve, posaçërisht në viset e shtegtimeve: për të gjitha këto probleme u fol në konferencën e shtypit, pas paraqitjes së Relatio post disceptationem nga kardinali Uërl, i cili sintetizoi temat kryesore, prekur deri tani në Sinod.

“Për të përshkruar me një fjalë a me një figurë të vetme, atë që po ndodh në Sinod, mund të them se Kisha është në flakët e Shpirtit Shenjt”.
Janë fjalët e Fortlumturisë së Tij Sviatoslav Shevçuk, kryeipeshkëv i madh i Kiev- Haliçit, kryetar i Sinodit të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës.
Gjallëria e Kishës, që vërehet në personat e ipeshkvijve, të cilët jetojnë në vende e realitete krejt të ndryshme; sfidat dhe entuziazmi, që ndizet përballë ftesës së Benediktit XVI për ungjillëzimin e ri dhe Vitin e Fesë, janë elementet kryesore, që rikujtohen në diskutimet e ndryshme, në vijim.
Pastaj, disa veçanti: kardinali John Tong Hon, ipeshkëv i Hong Kongut (Kinë), flet për rëndësinë e theksimit të rolit të katekistëve, që mund të vlerësohet pikërisht falë shkëmbimit të përvojës.
Çka duhet rindezur, nënvizon kardinali Laurent Monsengwo Pasinya, kryeipeshkëv i Kinshasës (Republika Demokratike e Kongos) është zjarri i shpirtit, metoda e mënyra e shprehjes, në një botë, ku shumë njerëz nuk besojnë më:
“Si mund të flasim për Zotin, për Jezu Krishtin, në një botë, që nuk beson më, që nuk pyet më për Zotin, ose nuk di si të pyesë?”.
Imzot Jan Babjak, kryeipeshkëv metropolit i Preshovit për katolikët e ritit bizantin, kryetar i Këshillit të Kishës sllovake, diskuton për rëndësinë e vendeve të shtegtimit, duke dhënë edhe një këshillë:
“Në këto vende shtegtimi, duhet të caktojmë meshtarët më të përgatitur e më të pjekur; ata që e duan Zotin e ata që e duan njeriun; që janë të thirrur për të shërbyer posaçërisht përmes Rrëfimit, dëgjimit e diskutimit të problemeve të shtegtarëve”.
Shpresa e sfida ballafaqohen në unitet e në shkëmbim mendimesh:
It just wonderful to be part...
Është diçka e mrekullueshme të bësh pjesë në Kishë!”.
Kështu shprehet imzot José Horacio Gómez, kryeipeshkëv i Los Ánxhelos, që rrëfen se për të është diçka e jashtëzakonshme kjo aventurë sinodale, e para, në të cilën merr pjesë përkrah një Kishe, që jeton, reflekton, diskuton, kërkon shtigje të reja, të cilat e çojnë njeriun te Zoti. E në vijim, thekson kryesisht rolin tejet të rëndësishëm të shekullarëve në gjirin e Kishës.
Për laikatin e për famullinë flet posaçërisht edhe kryeipeshkvi i madh Shevçuk:
“Famullia është vendi ku sot Kisha mund t’i ndihmojë familjet për t’ua transmetuar fenë e krishterë breznive të reja e është, sepse feja mund të transmetohet vetëm nga besimtarët, që e jetojnë. Famullia është vendi i takimit me Krishtin e gjallë, të ngjallur, të pranishëm në Kishë”.
I pyetur nga gazetarët, pastaj, kardinali Francisco Robles Ortega, kryeipeshkëv i Guadalaharës (Meksikë), shpjegon:
“Ka shumë lëvizje të reja kishtare ndër ne. Natyrisht duhet vënë pak rregull, sepse përndryshe secili vepron sipas dëshirës, e kështu shtëpia bëhet mish-mash. Zakonisht ipeshkvijtë janë gati t’i mirëpresin lëvizjet e reja, duke u krijuar kushte të punojnë pa pengesa e vështirësi, por ka edhe raste kur ndokush kërkon t’i imponohet ipeshkvit... Në se duam që punët të shkojnë mbarë e mirë, secili duhet të shikojë punën e vet...”.
Në thelb, të gjithë e pohojnë sfidën: të merren për dore njerëzit, të gjithë pa përjashtim, për të ecur së bashku me ta në rrugën e vërtetësisë e të bukurisë së fesë!







All the contents on this site are copyrighted ©.