2012-10-21 14:13:31

Koment i atë Lombardit: Ungjillëzimi i ri dhe shenjtëria


Shenjtorët e rinj, të shpallur sot nga Papa Benedikti XVI, janë në qendër të komentit javor të zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:RealAudioMP3
“Ndërsa Sinodi, i mbledhur në Romë, vazhdon punën e tij të reflektimit mbi temën pa fund të “ungjillëzimit të ri”, duke kërkuar fillin, që bashkon e përshkon qindra ndërhyrjet e shqiptuara nga ipeshkvijtë, të ftuarit dhe vëshguesit, ceremonia e shenjtërimit e kësaj së diele hyn në skenë si një fashë rrezesh të fuqishme drite e gëzimi.
Jo pak, por shtatë të lumë shpallen shembuj shenjtërie për gjithë Kishën. Meshtarë, rregulltarë, rregulltare, laikë, laike. Burra e gra. Kanë jetuar në Evropë, në Azi, në Afrikë, në Amerikë, në Oqeani. Që nga jezuiti misionar në tokë të largët, i cili vdes martir në Madagaskar, tek meshtari edukator i të rinjve në vështirësi, tek e sëmura, që për dhjetra vjet, kryen nga shtrati, misionin e saj të çmuar shpirtëror të vuajtjes. Që nga i riu katekist, laik filipinas, martir edhe ai, tek rregulltarja, që përkujdeset për të gërbulurit e tek ajo, që shuhet për edukimin e vajzave, të të rejave, të punëtoreve. E, lule e vërtetë e këtij grupi të mrekullueshëm, e reja Kateri Tekakuita, fryt i jashtëzakonshëm i kumtimit të parë të Ungjillit në fiset e indianëve të Amerikës.
Gjithmonë, shenjtorët janë dëshmitarët më të besueshëm të fesë së krishterë, të pranisë së gjallë dhe vepruese të Shpirtit të Jezusit të Ringjallur, të shndërrimit të njerëzimit falë fuqisë së mistershme të Ungjillit. Pa ta, Kisha nuk jeton, e aq më pak, mund të përhapë si duhet Fjalën e Zotit në një botë, që ndoshta ka vështirësi ta pranojë, por ka nevojë të jashtëzakonshme të rigjejë ndjenjat e pastra të dashurisë, gëzimit e shpresës, të cilat nuk di ku t’i marrë. Edhe ungjillëzimi i ri do të nisë nga shenjtorët e kohës sonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.