2012-10-20 16:23:11

Hidhërimi i Papës për atentatin në Liban: të marrë fund dhuna, paqe për gjithë zonën.


Papa shpreh dhimbjen e tij të thellë për viktimat e atentatit në Beirut, që pati si pasojë tetë të vdekur dhe më se njëqind të plagosur. Në një telegram, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, drejtuar Patrikut maronit Bechara Boutros Raï, Papa shpreh ngushëllimet e tij për viktimat e atentatit të tmerrshëm në Liban dhe përsërit thirrjen për paqe në të gjithë zonën. Edhe Patriku maronit e dënon ashpër këtë ngjarje të rëndë.
Nga dhuna buron vetëm vuajtje, shprehet Papa, një muaj pas shtegtimit të tij apostolik në vendin e kedrave. Benedikti XVI i lutet Zotit t’i japë Libanit dhe gjithë zonës, dhuratën e paqes e të pajtimit. Shumë pranë familjeve në zi për të vdekurit e dashur, Ati i Shenjtë i lutet Zotit t’i pranojë në dritën e Tij dhe u shpreh solidaritetin e më të ndjerë të plagosurve. E siguron, në përfundim, mbarë popullin libanez, se lutet për paqen e dëshiruar nga të gjithë banorët vullnemirë të këtij vendi të shqetë.
Ndërsa Patriku maronit, në një komunikatë, për të cilën flet edhe agjencia Fides, mban një qëndrim të prerë, duke e dënuar plotësisht atentatin: “Libani, shkruan, jetonte ende në atmosferën e vizitës së Benediktit XVI. Ky që ndodhi dje, është atentat kriminal kundër paqes dhe rezultateve aq të dëshëruara, që pasuan vizitën e Papës”. Patriku Bechara Raï i fton të gjithë bashkatdhetarët të bashkohen e të punojnë krah për krah për një ardhmëri paqësore në Libanin, që mbetet tokë e Shenjtorëve, oazë e paqes dhe e shpresës. Feja jonë e shpresa jonë nuk shemben, përfundon. Krishti i ngjallur fitoi mbi të keqen e mbi mëkatin. I lutemi për shpirtrat e të vdekurve, për shëndetin e të plagosurve e për ngushëllimin e familjeve të prekura nga një akt i tillë kriminal. Vetëm Ai është ngushëlluesi i madh, i vërtetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.