2012-10-20 16:59:21

Benedikti XVI duke dorëzuar “Çmimin Ratcinger”: kemi nevojë për njerëz, që ia bëjnë Zotin të afërt njeriut të sotëm.


Të shtunën, në Sallën Klementine, në Vatikan, Papa u dorëzoi Çmimin Ratcinger dy studiuesve të njohur: jezuitit amerikan atë Brian Daley, pedagog i teologjisë historike dhe profesorit francez, Rémi Brague, studiues i Filozofisë së feve. Në ceremoni morën pjesë edhe Etërit sinodalë.RealAudioMP3
“Dy personalitete, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, dy profesorë universitarë shumë të zellshëm në fushën e mësimdhënies”. Kështu i përshkroi sot Papa fituesit e Çmimit Ratcinger: atë Brian Daley dhe profesor Rémi Brague, që të dy, të impenjuar në Kishë, theksoi Benedikti XVI, aktivë në dhënien e kontributit cilësor të pranisë së Kishës në botën tonë. Dhe që të dy, të përkushtuar në dy aspekte vendimtare për Kishën në kohët tona: në fushën e ekumenizmit, Ati jezuit, posaçërisht me Kishat ortodokse; në fushën e filozofisë së feve, posaçërisht asaj hebraike dhe islamike në mesjetë, profesori Brague.
Duke ua dorëzuar Çmimin, Papa u shprehu dëshirën t’i rilexojnë disa dokumente të Koncilit II të Vatikanit, si deklarata Nostra aetate mbi fetë jo të krishtera dhe Dekreti Unitatis redintegratio mbi ekumenizmin, e akoma, deklarata Dignitatis humanae mbi lirinë fetare:
“Sigurisht do të ishte interesante, i dashur atë e i dashur profesor, të dëgjonim reflektimet tuaja e edhe përvojën tuaj në këto fusha, në të cilat zhvillohet një pjesë e rëndësishme e dialogut të Kishës me botën bashkëkohore”.
Papa i vlerësoi fituesit e Çmimit, si:
“Personalitete që, përmes fesë së ndriçuar e të jetuar, e bëjnë Zotin të afërt e të besueshëm për njeriun e sotëm, gjë për të cilën kemi shumë nevojë”.
Së fundi, ftesa e Benediktit XVI për të rizbuluar artin e vërtetë të të jetuarit...:
“për të punuar në vreshtin e Zotit, atje ku na thërret, që burrat e gratë e kohës sonë ta zbulojnë e ta rizbulojnë artin e vërtetë të të jetuarit: ky ishte edhe pasioni i madh i Koncilit II të Vatikanit, më aktual se kurrë, në impenjimin për ungjillëzimin e ri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.