2012-10-18 14:35:01

Solidaritet i ipeshkvijve evropianë kundër akteve të urrejtjes për fenë në Rusi


Ipeshkvijtë evropianë i shprehën Patriarkanës së Moskës solidaritetin, por edhe shqetësimin e tyre, për një sërë aktesh vandale e sulmesh, që po vënë në shënjestër kishat ortodokse ruse gjatë vitit të fundit. Në një letër, drejtuar metropolitit Hilarion, kryetar i Departamentit të Patriarkanës së Moskës për marrëdhëniet me jashtë, kryesia e Këshillit të konferencave ipeshkvnore evropiane(Ccee) shpreh shqetësimin për manifestimet e shumta diskriminuese, gjithnjë në rritje, vërejtur posaçërisht muajt e fundit, kundër Kishës, sidomos në Federatën Ruse. Vërehet, njofton agjencia Sir, se këtë vit janë shpeshuar aktet vandale, që kanë dëmtuar rëndë kisha e simbole kishtare në Federatën Ruse. Kujtojmë këtu thyerjen e kryqeve, si raprezalje nga grupi punk feminist Pussy Riot i cili, aty nga fundi i shkurtit, dha, në Katedralen e Krishtit Shëlbues, një shfaqje, për t’i kërkuar Virgjërës Mari hirin ta çlironte vendin nga mandati i tretë presidencial i Vladimir Putinit.
Akti i fundit i vandalizmit u krye në Zvicër, e pikërisht në Gjenevë ku, natën ndërmjet së dielës 14 e së hënës, 15 tetor, fasada e katedrales së Naltimit të Kryqit në dioqezën e Evropës perëndimore të Kishës ruse, jashtë kufijve të vendit, u zhgarravit me bojë vaji të kuqe.
E ndërtuar 150 vjet më parë, pëson për herë të parë një sulm të tillë, ngjyrosur me ngjyrën e revolucionit. Në letrën drejtuar Metropolitit Hilarion, ipeshkvijtë evropianë flasin për manifestime në rritje të urrejtjes kundër krishterimit në Federatën Ruse. E shtojnë: “Kryesia e Këshillit të konferencave ipeshkvnore evropiane (Ccee), nuk e pranon prirjen për t’i konsideruar si forma të lirisë artistike e asaj të shprehjes, akte të përdorimit a të manipulimit të fesë me qëllime provokuese, për të vënë në rrezik paqen fetare ose për t’i fryrë zjarrit të urrejtjes kundër pranisë fetare në jetën publike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.