Sinodi inkurajon lëvizjet kishtare. Papa thërret, në qershor, të gjithë nuncët e botës.
Kisha duhet t’i mirëpresë hiret dhe lëvizjet kishtare, duke i parë si pranverë për
ungjillëzimin e ri: kjo nxitje kryesore përshkoi diskutimet e djeshme në Sinodin e
ipeshkvijve, që vijon në Vatikan. Prelatët rikujtuan edhe domosdoshmërinë e gjetjes
së rrugëdaljes nga kriza ekonomike globale. Gjatë zhvillimit të punimeve, kardinali
Bertone njoftoi se, qershorin e ardhshëm, Papa do të mbledhë në Vatikan të gjithë
nuncët e botës, për një takim reflektimi, siç pati bërë në Jubileun e vitit 2000.
Dje pasdite punimet vijuan me ‘Raportin pas diskutimit”, paraqitur nga kardinali Donald
Uërl, kryeipeshkëv i Uashingtonit dhe relator i përgjithshëm i Sinodit.
Pranverë
të re për ungjillëzimin e ri: këtë stinë të blertë i sjellin Kishës karizmat apo
hiret, lëvizjet kishtare dhe bashkësitë. Po kjo pranverë duhet pritur me krahë hapur,
në se duam të gëzojmë, pastaj, edhe frytet e saj, duke i vlerësuar nën shenjën e bashkimit.
Sinodi i ipeshkvijve reflektoi mbi këtë temë, duke bërë edhe autokritikë: nganjëherë
meshtarët nuk janë të përgatitur në masën e duhur për këtë argument e nuk duan të
kujdesen për të, duke vijuar të punojnë në një atmosferë amullie shpirtërore. Prej
këndej, karizmat shuhen, ata mbeten vetëm e nganjëherë edhe me tundimin për ta kundërshtuar
magjisterin e Kishës. Ungjillëzimi i ri, pra, nuk duhet t’i harrojë hiret e reja.
Përkundrazi: duhet t’i shfrytëzojë mirë aftësitë e tyre.
Pastaj në Sinod u
prek edhe problemi i mprehtë i krizës ekonomike globale, parë si pengesë edhe
për ungjillëzimin e ri, sepse e detyron njeriun të kujdeset vetëm për nevojat e tij
jetike, siç është nevoja për të siguruar bukën e përditshme. E në se vijon një situatë
e tillë, mendojnë prelatët, kriza shoqërore e kriza e fesë do të ndikojnë fuqimisht
njëra mbi tjetrën e kumtimi i Ungjillit do të cënohet nën barrën e rëndë të shqetësimeve
ekonomike. Prej këndej, propozimi për krjimin e një strukture financiare, bazuar mbi
përvojat kishtare, që vënë në jetë ekonominë e bashkimit dhe kreditin shoqëror. Vetëm
kështu, u pohua në Sinod, mund të krijohet një sistem financiar i mbrojtur nga borxhet
e në shërbim të njeriut. Kisha duhet të fitojë aftësinë për të zbuluar si mund të
përballohet problemi ekonomik në një mënyrë, që e respekton plotësisht ekologjinë
e, sidomos, njeriun. Në të njëjtën vijë, edhe ftesa e Sinodit për të përmirësuar
cilësinë e jetës së grave e të fëmijëve, sepse ungjillëzimi i ri do të jetë kuptimplotë
vetëm kur t’ia arrijë edhe këtij qëllimi.
Kardinali Bertone, sekretar
i Shtetit të Vatikanit, në diskutimin e tij, foli për përfaqësuesit papnorë, duke
kujtuar rolin e tyre si mbikqyrës të lirisë së misionit të Kishës, që nganjëherë,
në vende të ndryshme të botës, kufizohet ndjeshëm. Kjo mbikqyrje, pohoi, nuk ka të
bëjë me kërkimin e privilegjeve të vjetëruara, por me garantimin e misionit të Kishës,
nga i cili përfitojnë si fetë e tjera, ashtu edhe mbarë shoqëria, falë shërbimit në
dobi të paqes e të të drejtave themelore të njeriut. Pastaj Sekretari i Shtetit të
Shenjtërisë së Tij njoftoi se, qershorin e ardhshëm, do të mbahet në Romë një takim
reflektimi, në të cilin do të marrin pjesë të gjithë nuncët, delegatët apostolikë
dhe vëzhguesit e përhershëm, me qëllim që misioni i tyre të përtërihet e të përsoset
më tej, për të qenë në lartësinë e kërkesave të kohës.
Sinodi, u kthye, pastaj,
tek çështja e ungjillëzimit në vendet me shumicë islamike: në këto vende shpesh
herë të krishterët trajtohen si nënshtetas të dorës së dytë, ligjet e kufizojnë lirinë
e kultit, dhuna e shpërfytyron dialogun ndërfetar. Por nuk duhet harruar, u shpreh
Asambleja, se ungjillëzimi i ri është i mundur edhe në këto vende, posaçërisht falë
veprave edukative e atyre të bamirësisë, që e paraqesin Kishën edhe përtej përmasave
të saj reale.
Një mjet tjetër kryesor për kumtimin e ri të Ungjillit është
famullia: posaçërisht në qytetet e mëdha shumetnike e shumëfetare, ajo duhet
ta kapërcejë analfabetizmin e sotëm fetar, ta propozojë Meshën e së dielës si përvojë
e thellë e një feje, që besohet, praktikohet, kumtohet. E, mbi të gjitha, famullia
duhet ta rindezë zjarrin misionar. Thoshte Gjon Pali II: “Famullia e gjen vetveten,
jashtë vetvetes”.
Pasdite, pastaj, Sinodi ndoqi me vëmendje fjalët e delegatëve
vëllezër, ndërmjet të cilëve, Metropoliti Hilarion, përfaqësues i Patriarkanës
së Moskës, që bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet të krishterëve, për
të përballuar sfidat e mprehta e kërcënuese të kohëve tona, ndërmjet të cilave, shekullarizmi
e ateizmi, e për t’u bërë ballë së bashku edhe persekutimeve, që vijon të pësojë edhe
sot e kësaj dite krishterimi. Fjalët e tij u mbështetën fort nga delegatët e tjerë
vëllezër, të pranishëm në Takimin e madh kishtar: baptistë, metodistë, anglikanë,
të gjithë vunë theksin mbi domosdoshmërinë e dialogut ekumenik, parë si mjeti kryesor
i ungjillëzimit, duke nënvizuar urgjencën për mbrojtjen e lirisë fetare, që vijon
të cënohet në njëmijë mënyra. Ungjillëzimi, theksuan delegatët vëllezër, është arsyeja
e ekzistencës së vetë Kishës e suksesi i kumtimit të Ungjillit e bën të besueshëm
atë, që ia kumton botës. Prej këndej edhe thirrja për vijimin e veprimtarisë bamirëse
dhe të formimit të bashkësive kishtare, për t’ia kumtuar fenë njerëzve, që nuk i përkasin
asnjë Kishe.
Etërit sinodalë dëgjuan, në përfundim, dëshminë e vëllait Alois,
epror i Bashkësisë së Tezesë, i ftuar i posaçëm në asamble. Në qendër të vëmendjes,
ai vuri ekumenizmin e lutjes, që nuk inkurajon tolerancën artificiale, por i hap rrugën
dëgjimit të thellë reciprok dhe dialogut të mirëfilltë. Përçarja e të krishterëve
është pengesë serioze për transmetimin e fesë, vijoi vëllai Alois, edhe pse të rinjtë
kanë gjithnjë prirjen të kërkojnë unitetin. Prej këndej, nxitja që Kishat vendase,
famullitë, bashkësitë e grupet të jenë sidomos vende bashkimi, në të cilat besohet
në aftësitë e të rinjve, duke mos përjashtuar as më të ligështit e as ata, që nuk
janë njëmendjeje me ne. Shumë rrugë është bërë, pra, por edhe shumë mbetet për
t’u bërë, në përpjekjen e përbashkët të të gjitha forcave të krishterimit për ungjillëzimin
e ri të kësaj bote, së cilës nuk është e lehtë t’i prish kah Kryqi i Krishtit.