2012-10-17 16:57:58

Papa dërgon një delegacion në Siri: intervista me kardinajtë Monsengwo e Toran.


Papa ka vendosur të dërgojë, pas pak ditësh, në Damask, një delegacion të Sinodit, për t’u shprehur solidaritetin vëllazëror mbarë popullsive siriane: njoftimin e dha sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, duke pohuar se nuk mund të mbahet qëndrim indiferent përballë një tragjedie, si kjo e Sirisë dhe duke uruar që në vend të fitojnë, më në fund, arsyeja e mëshira. Delegacioni, tha Hirësia e Tij, do t’u dëshmojë edhe afërsinë shpirtërore vëllezërve e motrave të krishtera e, jo më pak, do t’i inkurajojë të gjithë ata, që impenjohen në kërkim të marrëveshjes, e cila respekton të drejtat e detyrat e të gjithëve, me vëmendje të posaçme për të drejtën humanitare.
Ndërmjet Etërve sinodalë, që do të shkojnë në Siri, është edhe kardinali Laurent Mosengwo Pasinya, kryeipeshëv i Kinshasës. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Shkojmë atje për t’i çuar popullsisë që vuan, ngushëllimin e Atit të Shenjtë dhe të Sinodit, për t’i dëshmuar afërsinë tonë në këtë situatë, që po jeton. Kemi me vete edhe një ndihmë, një shumë parash, që do t’i mbledhin Etërit sinodalë, për t’ia besuar delegacionit.

Pyetje: - Ajo, që po ndodh në Siri, hyri edhe në sallën e Sinodit, përmes njerëzve të ardhur nga ky realitet...

Përgjigje: - Po, këtu janë të pranishëm ipeshkvij e patrikë, që vijnë nga Siria. Por duhet theksuar se edhe të tjerë folën për këtë tragjedi dhe kërkuan të bëhet ky gjest për Sirinë, duke çuar ngushëllimin e Papës e të Kishës.

Pyetje: - Kjo është tepër prekëse, por duhet kujtuar edhe se rrugëzgjidhja nuk mund të jetë tjetër, veçse ajo politike....

Përgjigje: - Ne nuk çojmë rrugëzgjidhje politike; ia lëmë atyre, që e kanë për detyrë t’i gjejnë. Ne shkojmë të bëjmë një vepër dashurie të krishterë, shkojmë të ngushëllojmë e të ndihmojmë.

Në delegacion bën pjesë edhe kardinali Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Ta dëgjojmë:
“Duam t’u shprehim solidaritetin njerëzor sirianëve, familjeve, që vujanë shumë. Mendojmë, për shembull, për njerëzit e përjashtuar nga radhët e shoqërisë, pleqtë, të sëmurët. Dje, një nga ipeshkvijtë e pranishëm këtu, në Sinod, tregoi se kishte marrë një thirrje nga njëri prej famullitarëve të tij, që nuk dinte ç’të bënte me strehën e të varfërve, kthyer në rrënojë nga bombardimet. Prej këndej, duam të shprehim edhe solidaritetin material, përmes kontributit të Etërve, e natyrisht, edhe solidarietetin shpirtëror ndaj vëllezërve tanë të krishterë, që kanë nevojë ta ndjejnë, si një familje e vogël, dashurinë, lutjen e shoqërimin e gjithë familjes së madhe, Kishës universale. Së fundi, të inkurajojmë të gjithë ata, që po punojnë për të gjetur rrugëzgjidhjen, e cila nuk mund të jetë tjetër, veçse ajo politike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.