2012-10-16 15:21:53

Në Sinod: shenjtorët janë shembuj ungjillëzimi të frytshëm në çdo epokë


Vazhdon në Vatikan, Sinodi i Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri. Sot ishte dita e laikëve të impenjuar në kumtimin e Ungjillit, ndërsa dje pasdite, etërit sinodalë reflektuan për rolin e shenjtorëve, shembuj dhe dëshmitarë të Krishtit, që na tregojnë se ungjillëzimi më i mirë e më bindës është koherenca e jetës me fenë, është përkimi i asaj që predikojmë, me atë që jetojmë.
Në epokën bashkohore, kur mendësia mbizotëruese e përçmon fenë dhe e konsideron pengesë për zhvillimin, duke e shtyrë njeriun drejt një ateizmi të maskuar nga indiferenca e të ushqyer nga problemet e brendshme të Kishës, që nganjëherë, japin veç shembull negativ, shenjtorët janë modele të ndritshme. Me jetën e tyre, ata kanë treguar se janë të krishterë me bindje e jo thjesht, për hir të traditës familjare, ose kombëtare.
Ungjillëzuesit e rinj, u theksua në Sinod, duhet ta ndjekin këtë shembull, duhet të besojnë me gjithë zemër në Zot, duhet të luten me art, të jenë të apasionuar pas Krishtit e t’u vënë gjoksin sfidave më urgjente të botës, si kërcënimi kundër paqes, ose mosrespektimi i të drejtave themelore të njeriut, ndër të cilat, e drejta për jetën.
Për të arritur këtë rezultat, etërit sinodalë theksuan rëndësinë e apostullimit biblik, të predikimit dhe të katekizmit, të cilat duhet të prekin zemrën e njeriut, t’i tregojnë rrugën për të shuar etjen e tij për Zotin e për të gjetur kuptimin e vërtetë të jetës. Famullitë, thanë ipeshkvijtë, duhet të kenë më tepër kujdes në gjuhën, që përdorin. Nëse ajo është tepër e ndërlikuar, të rinjtë mund të largohen nga Kisha. I rëndësishëm pra, formimi i laikëve, por sidomos i specialistëve të mediave katolike, përballë një morie mjetesh komunikimi, që përpiqen ta diskreditojnë e ta dobësojnë imazhin e Kishës.
Sinodi iu kthye edhe një herë temës së familjes, e cila sot, duhet të përballojë situata të vështira si emigracioni, urbanizimi, divorci, ndarja, ulja e numrit të lindjeve. Ajo, theksuan ipeshkvijtë, duhet ndihmuar para e pas martesës, duke nënvizuar kundërshtimin e Kishës për të gjitha llojet e bashkimeve, që minojnë natyrën e çiftit bashkëshortor.
Kishat Lindore, ndër të cilat edhe ajo shqiptare, u panë si ungjillëzuese të kualifikuara në shoqërinë bashkohore. Të sprovuara nga komunizmi, nga eksodi i të krishterëve e nga mosrespektimi i lirisë fetare, me martirizimin e tyre bëhen tharmi ungjillor i botës së sotme.








All the contents on this site are copyrighted ©.