Benedikti XVI: kemi një “pranverë të re të krishterimit”. Intervistë e Papës për filmin
“Bells of Europe”
Mbrëmë, pas sesionit sinodal, një numri etërish të Sinodit të Ipeshkvijve mbi Ungjillëzimin
e Ri iu paraqit filmi “Bells of Europe – Këmbanat e Evropës”. Në qendër të tij janë
marrëdhëniet ndërmjet krishterimit, kulturës evropiane dhe së ardhmes së kontinentit.
Filmi përmban pjesë nga një sërë intervistash ekskluzive me personalitetet më të mëdha
fetare të krishtera si Papa Benedikti XVI, Patriku ekumenik Bartolomeu I, Patriku
i Moskës Kirill, kryeipeshkvi i Kanterburit Rouan Uiliams, ish-presidenti i Federatës
së Kishave Ungjillore në Gjermani Huber dhe personalitete të tjera të politikës e
të kulturës. Filli, që përshkon e lidh krejt filmin, është tingulli i këmbanave anekënd
kontinentit dhe procesi i ndërtimit të një këmbane në fonderinë e lashtë të Anjonit.
Muzika është realizuar me pjesë nga kompozitori i famshëm eston Arvo Pert, i cili,
në intervistën e vet për filmin, shpjegon si është frymëzuar nga tingulli i këmbanave.
Realizuar nga Qendra Televizive e Vatikanit, sipas idesë së atë Xhermano Maranit,
me mbështetjen e institucioneve të ndryshme, ndër të cilat Fondacioni Gregoriana,
filmi është tani në dispozicion të RAI Cinema, kanalit kinematografik të Radiotelevizionit
Italian, i cili ka të drejtat e autorit për transmetimin e tij televiziv dhe për prodhimin
e kasetave video për përdorim shtëpiak. Pjesëmarrësve të Sinodit iu shpërnda një dosje
me tekstet e plota të intervistave, në italisht e në anglisht. Natyrisht, ju sinjalizojmë
intervistën e gjatë të Atit të Shenjtë, Benediktit XVI, të cilën po jua propozojmë
sot: Pyetje: Shenjtëri, në Enciklikat tuaj, Ju propozoni një antropologji
të fuqishme: njeriun, në të cilin banon dashuria e Zotit; njeriun, që i zgjeron horizontet
e arsyes me përvojën e fesë; njeriun, me përgjegjësi shoqërore falë dinamikës së bamirësisë,
marrë e dhuruar sipas parimeve të së vërtetës. Shenjtëri, pikërisht në këtë horizont
antropologjik, në të cilin mesazhi ungjillor larton të gjitha elementet e denja për
njeriun, duke pastruar mbeturinat, që e mjegullojnë fytyrën e njeriut, të krijuar
në shembëlltyrë e në përngjasim me Zotin, Ju keni theksuar disa herë se ky rizbulim
i fytyrës njerëzore, i vlerave ungjillore, i rrënjëve të thella të Evropës na jep
arsyet e shpresës së madhe për kontinentin evropian e jo vetëm. A mund të na i shpjegoni
këto arsye të shpresës suaj? Përgjigje:Arsyeja e parë e shpresës sime
qëndron në faktin se dëshira për Zotin, kërkimi i Hyjit është thellësisht i shkruar
në çdo shpirt njerëzor e nuk mund të zhduket. Sigurisht, për një farë kohe, mund të
harrohet Zoti, mund të mënjanohet, mund të merremi me gjëra të tjera, por Zoti nuk
zhduket kurrë. Është e vërtetë ajo, që thotë shën Augustini: ne njerëzit nuk jemi
të qetë derisa të mos e kemi gjetur Hyjin. Ky shqetësim ekziston edhe sot. Është shpresa
që njeriu, sërish, edhe sot, të vihet për udhë drejt këtij Zoti. Arsyeja e dytë e
shpresës sime qëndron në faktin se Ungjilli i Jezu Krishtit, feja në Krishtin është
thjesht e vërtetë. Dhe e vërteta nuk plaket. Edhe ajo mund të harrohet për një farë
kohe, mund të gjejmë gjëra të tjera, mund të mënjanohet, por e vërteta si e tillë
nuk zhduket. Ideologjitë e kanë kohën të kufizuar. Duken të forta, të papërmbajtshme,
por pas një farë periudhe konsumohen, nuk kanë më forcë në vetvete, sepse u mungon
e vërteta e thellë. Janë grimca të së vërtetës, por në fund të fundit, konsumohen.
Ndërsa Ungjilli është i vërtetë, prandaj nuk konsumohet kurrë. Në të gjitha periudhat
e historisë shfaqen përmasa të reja të tij, duket krejt risia e tij në përgjigjen
ndaj kërkesave të zemrës e të arsyes njerëzore, e cila mund të ecë brenda kësaj së
vërtete dhe të gjejë vetveten. Prandaj, pikërisht për këtë, jam i bindur se kemi një
pranverë të re të krishterimit. Një arsye tjetër, empirike, e shohim në mënyrën si
punon ky shqetësim mbi rininë. Të rinjtë kanë parë shumë gjëra – ofruar nga ideologjitë
e nga komunizmi – por e kuptojnë sa bosh janë ato, sa të pamjaftueshme janë. Njeriu
është krijuar për amshim. Gjithçka që mbaron është tepër pak. Prandaj, shohim si,
në brezat e rinj, ky shqetësim zgjohet sërish e ata vihen për udhë, duke zbuluar kështu
përsëri bukurinë e krishterimit. Një krishterim jo me çmime të ulta e as me zbritje,
por radikal dhe i thellë. Mua më duket se vetë antropologjia na thotë se krishterimi
do të rizgjohet sërish e gjithmonë e faktet e konfirmojnë këtë me një fjalë të vetme:
baza të thella. Ky është krishterimi. E vërteta ka gjithnjë të ardhme. Pyetje:
Shenjtëri, Ju keni theksuar disa herë se Evropa ka e vazhdon të ketë një ndikim
kulturor mbi njeriun e nuk mund të mos e ndjejë veten veçanërisht përgjegjëse, jo
vetëm për të ardhmen e vet, por edhe për atë të mbarë njerëzimit. Duke parë drejt
horizontit, a është e mundur të përvijohen konturet e dëshmisë së dukshme të katolikëve
e të të krishterëve, që u përkasin Kishave ortodokse e protestante në Evropë, nga
Atlantiku tek Uralet? Ato, duke jetuar vlerat ungjillore në të cilat besojnë, a mund
të kontribuojnë kështu në ndërtimin e një Evrope më besnike ndaj Krishtit, më mikpritëse,
më solidare, jo vetëm duke ruajtur trashëgiminë kulturore e shpirtërore që i dallon,
por edhe duke u impenjuar në gjetjen e rrugëve të reja për të përballuar sfidat e
mëdha të përbashkëta, karakteristike të epokës post-moderne e shumëkulturore? Përgjigje:
Kemi të bëjmë me një çështje të madhe. Është e qartë se Evropa, edhe sot, ka
në botë një peshë të madhe, si ekonomike, ashtu edhe kulturore e intelektuale. E,
së bashku me këtë peshë, ka edhe përgjegjësi të mëdha. Por, siç e thatë edhe ju, Evropa
duhet të gjejë akoma identitetin e vet të plotë për të folur e vepruar sipas përgjegjësisë,
që ka. Sipas meje, problemi sot nuk qëndron në ndryshimet ndërmjet kombeve. Janë ndryshime,
që falë Zotit, nuk përbëjnë më ndarje. Kombet mbeten e, në ndryshueshmërinë e tyre
kulturore, njerëzore, karakteriale, përbëjnë pasuri që plotësojnë njëra-tjetrën dhe
bëjnë të lindë një simfoni madhështore kulturash. Në thelb, është një kulturë e përbashkët.
Problemi evropian i gjetjes së identitetit më duket ka të bëjë me faktin se në Evropë,
sot, kemi dy frymë: njëra prej tyre është arsyeja abstrakte, anti-historike, që synon
të dominojë gjithçka, sepse ndihet përmbi të gjitha kulturat. Një arsye, që më në
fund, i referohet vetëm vetvetes e që ka si qëllim të emancipohet, pra të largohet,
nga të gjitha traditat e vlerat kulturore, në favor të një racionaliteti abstrakt.
Vendimi i parë i Strasburgut për Kryqin e Krishtit qe shembull i kësaj arsyeje abstrakte,
që dëshiron të emancipohet nga të gjitha traditat, nga vetë historia. Por, nuk mund
të jetohet kështu. Për më tepër, edhe “arsyeja e pastër” kushtëzohet nga një situatë
e caktuar historike e, mund të ekzistojë vetëm brenda saj. Fryma tjetër është ajo,
që mund ta quajmë “e krishterë”, e që ia hap portat të gjitha gjërave të arsyeshme,
sepse ajo vetë i ka dhënë guximin arsyes dhe lirinë arsyes kritike, por mbetet e ankoruar
në rrënjët, të cilat ndodhen në zanafillën e kësaj Evrope, që i kanë dhënë vlerat
e saj, institucionet, këndvështrimin e fesë së krishterë. Siç përmendët edhe ju, kjo
frymë duhet ta gjejë shprehjen e përbashkët sidomos në dialogun ekumenik ndërmjet
Kishës Katolike, Ortodokse e Protestante e pastaj, duhet të takohet me arsyen abstrakte,
pra ta pranojë dhe ta mbrojë lirinë kritike të arsyes në gjithçka mund të bëjë e ka
bërë, por ta praktikojë e t’i japë asaj themele, në përkim me vlerat e mëdha të krishterimit.
Vetëm me këtë sintezë, Evropa mund të ketë peshë në dialogun ndërkulturor të njerëzimit
të sotëm e të nesërm, sepse arsyeja, që largohet nga të gjitha kulturat, nuk mund
të hyjë në dialog ndërkulturor. Vetëm një arsye me identitet historik e moral mund
të flasë edhe me të tjerët, mund të kërkojë një dialog ndërkulturor, në të cilin mund
të hyjnë të gjithë e aty, të gjejnë unitetin themelor të vlerave, që mund t’i hapin
rrugën së ardhmes, humanizmit të ri. Ky duhet të jetë qëllimi ynë. E për ne, ky humanizëm
lind pikërisht nga ideja madhështore e njeriut si përngjasim e shembëlltyrë e Zotit.