2012-10-15 13:25:08

Papa në Engjëllin e Tënzot: Pasuria nuk ta jep lumturinë mbi tokë e as jetën e pasosur.


Pasuria nuk ta jep lumturinë mbi tokë, e as jetën e pasosur: këtë theksoi dje Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke iu drejtuar shtegtarëve të shumtë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Benedikti XVI foli, i frymëzuar nga fjala ungjillore e liturgjisë të së dielës, duke i ftuar besimtarët ta përdorin pasurinë sipas këshillave ungjillore.
Ungjilli i djeshëm ishte ai i djaloshit pasanik që, shpirtërisht, i zbatonte të dhjetë urdhërimet e Tënzot, e megjithatë, nuk e po e gjente ende lumturinë. Prandaj e pyet Jezusin ç’duhet të bëjë akoma, për të fituar trashëgimin e jetës së amshuar.
Papa reflektoi kështu mbi këtë situatë me vlera të mëdha përgjithësuese:
“Nga njëra anë, djaloshin, ashtu si të gjithë, e tërhiqte fort përsosuria e jetës; nga ana tjetër, i mësuar siç ishte të mbështetej mbi pasuritë e veta, mendonte se edhe jeta e pasosur, në një farë mënyre, mund të ‘blihej’, ndoshta-ndoshta duke vënë në jetë ndonjë urdhërim krejt të posaçëm”.
Jezusi e kupton menjëherë se djaloshi digjej nga dëshira për të jetuar në amshim, prandaj ia ngul sytë plot dashuri. Janë sytë e Zotit, ngulur mbi njeriun, që e dëshiron me gjithë zemër jetën e amshuar:
“Por Jezusi e kupton edhe cila është pika e dobët e këtij njeriu: lidhja tepër e ngushtë me pasuritë; prandaj i propozon t’ia japë gjithçka të varfërve, që thesari i tij, e prej këndej, edhe zemra e tij, të mos jenë më mbi tokë, por në qiell. E shton: ‘Eja! Më ndiq! (v.22)’. Por djaloshi, në vend që ta presë me gëzim ftesën e Jezusit, ikën e shkon i trishtuar (cfr v.23), sepse nuk mund të shkëputet nga pasuritë e tij, të cilat nuk do të mund t’ia japin kurrë lumturinë e as jetën e pasosur”.
Jezusi na mëson se i pasuri e ka shumë të vështirë të hyjë në Mbretërinë e Hyjit. Të vështirë, po jo të pamundur:
“Në të vërtetë, Zoti mund ta fitojë zemrën e njeriut, që ka pasuri të mëdha e ta nxisë në rrugën e solidaritetit e të ndarjes së kamjes me nevojtarët, me të varfërit, duke hyrë, kështu, në logjikën e dhurimit”.
Historia e Kishës, vërejti Papa, është plot me shembuj njerëzish të pasur, që i përdorën pasuritë në mënyrë ungjillore, duke u ngjitur edhe në lartësitë e shenjtërisë, si Shën Françesku, Shën Elizabeta e Hungarisë ose Shën Karl Borromeu. Pas kësaj aradheje, Benedikti XVI citoi Shën Klementin e Aleksandrisë, që na kujton:
“Shembëlltyra u mëson të pasurve se nuk duhet ta harrojnë shëlbimin e tyre, si të ishin tashmë të dënuar, as t’i flakin pasuritë në det e as t’i dënojnë, si diçka e rrezikshme, armiqësore, që i kundërvihet jetës, por duhet të mësojnë mënyrën e përdorimit të pasurive dhe të vetë jetës”.
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se dje, në Pragë, u shpallën të Lum Federik Bachstein dhe Trembëdhjetë sivëllezër të Urdhërit të Fretërve të Vegjël, mbytur në vitin 1611, për shkak të fesë së tyre:
“Janë të Lumët e parë të Vitit të Fesë, e janë martirë: na kujtojnë se të besosh në Krishtin, do të thotë të jesh i gatshëm edhe të vuash me Të e për Të”.Në fund Ati i Shenjtë përshëndeti, ndërmjet tjerësh, shtegtarët e ardhur nga Polonia, ku dje kremtohej “Dita e Papës”, me moton: “Gjon Pali II- Papa i familjes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.