2012-10-15 15:46:47

Ikonat shqiptare në një ekspozitë në Rusi


Ikona shqiptare të shekujve 14-të e 18-të ekspozohen në një nga sallat e Muzeut Qendror të Kulturës Antike dhe Artit Mesjetar rus në Moskë "Andrei Rubljov". Ekspozita e ikonografisë shqiptare u hap më datën 10 tetor.
Në këtë ekspozitë prezantohen ikona të shekujve 14 - 18-të , marrë nga koleksioni i ikonave të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës. Ikonat përfaqësojnë punime të Nikolla Onufrit, Vëllezërve Zografi, të David Selenicës, të Jeromonakut, anonime etj.
Spikasnin ikonat "Pagëzimi i Krishtit, "Shën Maria me Shenjtorë", "Shën Maria me Krishtin", "Johan Theologu", "Ngjallja e Llazarit", "Prekja e Thomait", "Dyert e Bukura" etj.
Në ceremoninë e organizuar në kupolën e Kishës mesjetare të muzeut "Andrej Rublov" përshëndetën të pranishmit Drejtori i Përgjithshëm i Muzeut të Artit Mesjetar rus, "Andrej Rublov", Grigori Popov, Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës, Tatjana Caca, etj
Folësit në këtë ceremoni vunë në dukje vlerat e veçanta historike, kulturore, artistike dhe fetare të ikonografisë shqiptare. Përfaqësuesit e institucioneve ruse, përshëndetën hapjen e kësaj ekspozite të veçantë në Moskë, e cila i bën më të prekshme vlerat kulturore, artistike dhe fetare të popullit shqiptar. Kjo ekspozitë, sipas tyre, transmeton mesazhet e kohës, por me ngjyra shqiptare.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të Ditëve të Kulturës Shqiptare në Rusi dhe të 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ekspozita e ikonografisë shqiptare në Moskë do të qëndrojë e hapur për vizitorët rusë deri në 9 nëntor. Me pas, ajo do të transferohet në qytetin e tretë më të madh të Rusisë, Nizhni Novgorod, ku do të qëndrojë e hapur deri më 11 dhjetor 2012. (nga ATSH-aj)







All the contents on this site are copyrighted ©.