2012-10-15 14:05:58

15 tetori Dita Ndërkombëtare e shkopit të bardhë


Prej 48 vitesh, 15 tetori shënon në mbarë botën ditën simbol të personave që nuk shikojnë, e njohur si Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë. Në këtë ditë në qendër të vëmendjes janë përpjekjet e personave të verbër për përmirësimin e standardeve të tyre në vendet ku jetojnë, si dhe një mundësi sensibilizimi për shoqërinë në respektimin dhe integrimin e personave të verbër.
Sipas statistikave, në vendin tonë ka më shumë se 10 mijë persona të verbër dhe me shikim të pjesshëm.
Vitet e fundit, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, vlerëson se ka një rritje të ndjeshmërisë së shoqërisë dhe të institucioneve shtetërore ndaj personave të verbër, por arritja e standardeve bashkëkohore që rekomandojnë dokumentet ndërkombëtarë për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar kërkon më shumë punë.
Sipas kësaj shoqate, problematika të tilla si krijimi i kushteve për lëvizjen autonome të personave të verbër në rrugë, janë ende të brishta në shoqërinë tonë. Për të përmbushur këtë 'komoditet', shoqata organizon trajnime për përdorimin e shkopit të bardhë për komunitetin e njerëzve me aftësi të kufizuara të shikimit.
Në vendin tonë sipas të dhënave të kësaj shoqate, prej krijimit të saj e deri më sot, personat që nuk shikojnë kanë zhvilluar më tepër profesionet e niveleve intelektuale lidhur kjo dhe me rritjen e shkallës së arsimimit. Në vitin 2007 sipas analizave rezulton se 26.9 % e anëtarëve të verbër janë në moshë pune.
Nga të dhënat rezulton se pjesa më e madhe e qytetarëve të verbër janë të moshës së tretë, kjo dhe për faktin se problemet e shikimit me kalimin e viteve vijnë dhe rëndohen dhe bëjnë që numri i të verbërve të këtyre moshave të jetë më i madh.
Grupmosha e aftë për punë e kategorisë së qytetarëve të verbër rezulton në pjesën më të madhe e dominuar nga meshkujt me 56.2% dhe me pas femrat me 43.8%.
Shkopi i bardhë është krijuar në vitin 1912 nga artisti James Biggs nga Bristoli. Pas një aksidenti, i cili i mori shikimin, artisti duhej të ripërshtatej me ambientin. Duke ndjerë kërcënimin nga mjetet e tjera lëvizëse rreth e rrotull shtëpisë së vet, Biggs vendosi ta lyente shkopin e tij lëvizës me ngjyrë të bardhë dhe ta bënte veten më të dukshëm në rrugë.
Jo më shumë se 10 vjet më vonë shkopi i bardhë ishte prezent në shoqërinë e asaj kohe. Në shkurt të vitit 1931, Guilly d'Herbmont lançoi një skemë për një lëvizje kombëtare të personave të verbër në Francë. Kjo fushatë u raportua edhe në gazetat britanike, e cila udhëhiqte një skemë të ngjashme të sponsorizuar nga klubet e llotarisë.
Në maj të vitit 1931, BBC sugjeroi në radion e vet se individët e verbër duhet të sigurohen me një shkop të bardhë, i cili do të mund të njihet në mënyrë universale, si një simbol i cili tregon se dikush është i verbër ose me shikim të pjesshëm. Ndërsa në Amerikën Veriore, celebrimi i shkopit të bardhë iu atribua Klubit Ndërkombëtar të Luanëve. Në vitin 1930, një anëtar i Klubit të Luanëve, vëzhgonte se si një person i verbër priste të kalonte rrugën me një shkop të zi në dorë. Me mendimin që shkopi i zi bëhej i padukshëm për personat e tjerë, ata vendosën ta lyenin atë me ngjyrë të bardhë për të rritur dallueshmërinë e tij nga motoristët.
Më pas, Presidenti i SHBA, Lyndon S. Johnson, u interesua dhe e proklamoi 15 Tetorin si Ditë e Shkopit të Bardhë. Në 6 Tetor të vitit1964, një rezolutë e përbashkët e Kongresit e deklaroi ligjërisht këtë ditë.
Nisur nga kjo ngjarje, në të gjithë botën 15 Tetori kremtohet si dita simbol për pavarësi, integrim dhe autonomi të personave të verbër. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.