2012-10-13 14:51:22

Shenjtorët e javës që vjen, sipas kalendarit kishtar


të dielën e 28-të të vitit kishtar, Kisha Katolike kremton edhe festën e shën Kalistit I, papë e martir. Në Ungjill, Jezu Krishti i thotë të riut që e pyet, të shesë pasurinë e vet e t’ua shpërndajë të varfërve. Pasuria në vetvete nuk është diçka e keqe, janë zotëruesit e saj, që duhen kritikuar. Pasuria është e destinuar nga Zoti për t’u përdorur sipas nevojave e jo thjesht për t’u grumbulluar. Prandaj, do të jetë e vështirë për ata, që s’mund të ndahen prej saj, të hyjnë në Mbretërinë e Qiellit.

Të hënën, më 15 tetor, kremtohet një shenjte e madhe e Kishës, karmelitania e zbathur, shën Tereza e Avilës, virgjër e dijetare. “Qoftë bekuar emri i Zotit, sot e përgjithmonë”, thonë leximet biblike. Shën Pali Apostull na kujton se Zoti do prej nesh t’i përgjigjemi lirisht, ta pranojmë pa kushte. Po të hënën, kremtohen edhe shën Barseni e shën Tekla.

Ditën e martë, më 16 tetor, bie festa liturgjike e shën Edvigjes, dukeshë e Polonisë, rregulltare; e shën Margaritës Alakok, virgjër dhe e shën Gerard Majelës. Në këtë ditë meditojmë se nuk ka kuptim të tregohemi ashtu si nuk jemi. Zoti na sheh zemrën e veprat e fesë.

Më 17 tetor, Kisha Katolike kremton shën Injacin e Antiokisë, ipeshkëv e martir. Përvoja e tij na mëson se kush ndjek Zotin, do të ketë dritë në jetën e vet. Ka dy mënyra sjelljeje: siç na thotë instinkti i pakontrolluar dhe siç na thotë Shpirti i Hyjit. E para shqetësohet për dukjen e jashtme, e dyta, për dashurinë e Krishtit.

Shën Luka ungjilltar festohet ditën e enjte, më 18 tetor. Mjek, pajtor i artistëve, shën Luka, me Ungjillin e tij, i thur lavde Zotit në Mbretërinë Qiellore, ashtu siç bëjnë të gjithë shenjtorët me jetën e tyre. Ai mund të quhet teologu i misionit, sepse i jep rëndësi të veçantë shpalljes së Lajmit të Mirë të Krishtit.

Të premten, më 19 tetor, përkujtohen shën Gjoni i Brebëfit e shën Isak Jogues, meshtarë jezuitë, martirë kanadezë, si edhe shën Pali i Kryqit, themelues i Pasionistëve. Koherenca ndërmjet jetës e fesë është karakteristika themelore, që Jezusi u kërkon atyre, që e ndjekin. Për këtë u dalluan shenjtorët e kremtuar në këtë ditë.

Shenjtorët, që kremtohen të shtunën, më 20 tetor, dëshmojnë se është dhurata e Shpirtit Shenjt, që na bën të aftë ta njohim vërtet Jezu Krishtin. Nuk mjafton ta kërkojmë pa fund, nëse na mungon ndihma e Tij. Në këtë ditë bie festa e shën Vitalit, shën Adelinës e shën Maria Bertila Boskardìn.

Të dielën e ardhshme, e 29-ta e vitit kishtar, kremtohet shën Ursula, por edhe Dita e 86-të Misionare Botërore. Papa Benedikti XVI do të shpallë shtatë shenjtorë të rinj të Kishës Katolike. Ata janë: Xhakomo Berthië, Pedro Kalungsod, Gjon Maria Piamarta, Maria e Malit Karmel, Maria Ana Kope, Katerina Tekakuita dhe Ana Shafer. Po më 21 tetor, shkodranët kremtojnë Pajtoren e tyre Qiellore, Zojën e Shkodrës.







All the contents on this site are copyrighted ©.