2012-10-13 14:50:14

Në Sinod: Imzot Mihalik: më shumë forcë për ekumenizmin.


Zemra e ungjillëzimit është takimi i njeriut me Jezu Krishtin. Kjo nënvizohet fort në Instrumentum Laboris (Plani i punës), dokument programatik i Sinodit për Ungjillëzimin e Ri. Feja e krishterë mund të transmetohet vetëm përmes lidhjes personale me Krishtin e ngjallur, ushqyer nga lutja e nga pjesëmarrja në sakramente. Është kjo detyra parësore e të krishterëve të të gjitha konfesioneve. E pohon me forcë edhe imzot Jozef Mihalik, kryetar i Konferencës ipeshkvnore polake, në mikrofonin tonë:
Përgjigje: - Premisat e ungjillëzimit të ri varen nga ne, domethënë nga bindja se Ungjilli ka vlerë jetike për ne, i jep kuptim jetës sonë e prandaj edhe dëshirojmë ta ndajmë me të tjerët. Duhet të mendojmë mirë, para se të qahemi e të ankohemi se Ungjilli nuk u intereson të tjerëve.... Nëse ne vetë, të parët, nuk interesohemi për Ungjillin, në se Fjala e Jezusit nuk na e ‘përvëlon’ shpirtin, mungon kushti themelor për të prekur zemrën e të afërmit. Por nuk duhet harruar, sidomos, se ungjillëzimi është vepër e Shpirtit Shenjt.

Pyetje: - A ka rëndësi për ungjillëzimin e ri, dialogu ekumenik? E bëjmë këtë pyetje, sepse përçarja e të krishterëve na duket si kundërdëshmi....

Përgjigje: - Edhe Kishat e tjera interesohen të bashkëpunojnë për t’u bërë ballë sfidave me të cilat Kisha ndeshet çdo ditë. Në Poloni, disa javë më parë, patëm një mik të nderuar, Patrikun e Moskës dhe të të gjithë Rusive, Kirill, me të cilin u takuam dhe nënshkruam një dokument. Përmes tij Polonia e Rusia i kërkuan falje njëra-tjetrës. Duam të punojmë së bashku për kumtimin e Ungjillit, duke përballuar krah për krah pengesa e sfida; duam të impenjohemi për mbrojtjen e jetës, të familjes e edhe për të favorizuar praninë e Zotit në jetën shoqërore, publike, politike.

Pyetje: - Sipas jush, si është e mundur që zjarri i fesë ta ngrohë më pak pikërisht Evropën e krishterë?!

Përgjigje: - Sot në Evropë mungon kultura e përgjithshme, kultura me frymë krijuese, që i edukon njerëzit me të bukurën, me të mirën. Sot njerëzit rendin kryesisht pas parasë, u interesojnë tregu, fitimi, karriera.... e kjo është njerëzore, por duhet të përkojë me vlerat shpirtërore, të pajtohet me ndërgjegjen, të mos i kundërvihet parimeve themelore etike. Në se mungojnë pikat e referimit, që lidhen me vlerat më të larta, njeriu gjymtohet shpirtërisht.

Pyetje: - Frontet e ungjillëzimit të ri në Poloni?

Përgjigje: - Përpiqemi t’i qëndrojmë besnikë bazës, Zbulesës, Shkrimit Shenjt, traditës, në kushte të reja, pak a shumë të ngjashme me ato, që jetohen në pjesën tjetër të Evropës. Ati i Shenjtë, në librin e tij intervistë thekson: gjërat e vërteta janë të thjeshta e gjërat e thjeshta janë të vërteta. Realitetet e fesë mësohen që në fëmijëri e, në rritje, pastaj, bëhen pikëmbështetje për të ecur drejt në rrugën e gjatë të jetës: bukuria e fesë, devocioni marian, katekizmi në shkollë, mesha e së dielës... Duhet ta ruajmë besnikërinë ndaj këtyre vlerave, bazë për dialogun me botën moderne. E pastaj, duhen zgjuar shekullarët tanë: shekullarë që premtojnë shumë. Në 20 vjetët e fundit është rritur gjithnjë më shumë impenjimi i laikëve, ashtu si edhe vetëdija e pergjegjësisë për ta dëshmuar Krishtin në gjirin e shoqërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.