2012-10-13 14:49:43

Atë Lombardi: Viti i Fesë fillon me gëzim plot përvuajtëri


Javë e rëndësishme, kjo që sapo kaloi, për të gjithë Kishën Katolike. Papa Benedikti XVI, me një Meshë solemne, bashkëkremtuar me 400 ipeshkvij e kardinaj nga e gjithë bota, hapi të enjten, më 11 tetor, Vitin e Fesë, vit reflektimi e meditimi për fenë e krishterë e për praninë e saj në shoqërinë bashkohore. Java e kaluar ishte edhe e para e Sinodit të Ipeshkvijve, që po vazhdon punimet në Vatikan, mbi temën e ungjillëzimit të ri.
E Kisha kujton edhe 50-vjetorin e fillimit të Koncilit II të Vatikanit, që i krijoi asaj mundësinë për marrëdhënie të reja me epokën moderne. Një procesionin me qirinj, në mbrëmjen e 11 tetorit, kujtoi procesionin spontan të fillimit të Koncilit. Kujtoi Papën Gjoni XXIII, që doli në dritaren e Pallatit Apostolik për t’u folur besimtarëve e “Hënës”, në fjalimin e famshëm, që ka hyrë në histori me emrin “Fjalimi për Hënën”. Si papa i atëhershëm, edhe këtë 11 tetor, Benedikti XVI iu drejtua pjesëmarrësve të shumtë në procesion, mëse 40 mijë vetë, duke i nxitur të kenë besim te Hyji i Gjithpushtetshëm: “E kemi parë se Zoti nuk na harron, edhe sot, me mënyrën e Vet, të përvuajtur. Zoti është i pranishëm e na i ngroh zemrat, na tregon jetën, krijon karizma mirësie e dashurie, që e ndriçojnë botën e janë për ne, garancia e mirësisë së Hyjit. Po, Krishti është gjallë, është me ne, prandaj mund të jemi të lumtur edhe sot, sepse mirësia e Tij nuk mbaron dhe është e fuqishme edhe sot”.
Nga ky çast mallëngjyes, merr shkas komenti javor i zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
“Profili i Papës së moshuar ravijëzohet në mbrëmjen e 11 tetorit, në kornizën e dritares më të dashur të botës, në një çast me emocione të thella. Ai e di mirë se sytë dhe zemra e të gjithëve presin një fjalë, që t’i afrohet njërit prej fjalimeve të improvizuara më të famshme të të gjitha kohrave, atij “për Hënën” të paraardhësit të tij të paharruar, Gjoni XXIII. Pamja e stili janë mjaft të ndryshëm, por mesazhi nuk është më pak intensiv dhe i thellë.
50 vjet më parë, i riu Racinger, me zemër të pastër meshtarake e me inteligjencë plot pasion, shihte edhe ai nga sheshi po atë dritare, shpirtin plot me zjarrin e idealit. Tani, vështrimi i Benediktit XVI duket se drejtohet kah qielli, më tepër se kah turma, sepse ndërsa flet, shqyrton misterin e Zotit. Hyji, përparësia e parë e papnisë, pika e parë e referimit për atë Koncil, që ai na fton ta bëjmë sërish tonin, në të vërtetat dhe synimet e tij më të thella.
Zoti është historia jonë, Zoti është historia e Kishës. “Gëzimet e shpresat, trishtimet e ankthet e njerëzve, janë të njëjta me ato të dishepujve të Krishtit…”: kështu fillon dokumenti i fundit konciliar. Histori, që duhet lexuar në dritën e shembëlltyrave ungjillore, si ajo e egjrës, ose ajo e rrjetës. Histori e mëkatit tinëzar e të tmerrshëm, të kristalizuar në “struktura”, histori e mëkatit vetjak, që plagos dhe poshtëron jetën e secilit prej nesh. Por, edhe histori Hiri Hyjnor, që punon në heshtje e duket në “flakëzat e vogla të mirësisë, të dashurisë, të së vërtetës”, si ato që pikëlojnë të panumërta dhe e ndezin sheshin e Shën Pjetrit, në natën pa Hënë. Prandaj, gëzim i matur, gëzim i përvuajtur, por gëzim i vërtetë, të vetëdijshëm për praninë dhe veprimin e Shpirtit të Zotit, që është brenda nesh – sido që të vijë puna – dhe është i fortë e besnik.
Gëzim i përvuajtur, flakëza të vogla mirësie dhe të vërtete, që shndërrojnë e japin ngrohtësi. Kush mendonte se Viti i Fesë duhej të fillonte me një sërë ngjarjesh triumfale, s’ka kuptuar asgjë. Papa Benedikti XVI synon në një drejtim krejt tjetër. E duke u kthyer të shikojë besimtarët në shesh, përfundon, duke u dhënë jehonë fjalëve të Papës Gjoni XXIII: “Shkoni në shtëpi, puthini fëmijët e u thoni se është puthja e Papës”. Një puthje e thjeshtë, e lehtë, plot me dashurinë e Zotit. Viti i Fesë filloi kështu”.







All the contents on this site are copyrighted ©.