2012-10-12 13:48:25

Çmimi Nobel për Letërsinë: kuriozitete


Pak pas njohjes së laureatit të Çmimit Nobel për Letërsinë 2012, kinezit Mo Yan, autor i veprave “Melekuqja”. “Rrënjë e kuqe kristaline” dhe “Gji i madh, ije të ngushta” etj., vlerësuar me motivacionin “Me realizmin e tij magjepsës harmonizon rrëfimet popullore, historike e bashkëkohore”, po kujtojmë disa kuriozitete për këtë Çmim të rëndësishëm, që deri më sot e kanë marrë, për të mos thënë merituar, njëqind e tetë shkrimtarë, nga të cilët, vetëm 11 gra. Çmimi nuk u caktua për shtatë herë (1914, 1918, 1935) si dhe nga vitet 1940 deri më 1943. Datat flasin vetë. Ndërsa u refuzua dy herë (më 1958 nga Boris Pasternak, i detyruar prej qeverisë së Bashkimit Sovjetik) dhe në vitin 1964 (nga Jean-Paul Sartre, që nuk e pranoi, pa qenë i detyruar nga ndokush, sepse jetonte në botën e lirë, e cila të jep krenarinë edhe të mos e pranosh një çmim, që një pjesë e mirë e shkrimtarëve bëjnë çmos ta marrin, sa për famë, aq për fitim. E natyrisht edhe për të jetuar “nën shenjën e përjetësisë”, sepse emrat e Nobelistëve hyjnë në fondin e artë të letërsisë botërore.
Në disa vite ( 1904, 1917, 1966, 1977) pati dy fitues.
Në vitin 1931 çmimi Nobel iu dha, pas vdekjes, Erik Axel Karlfeltd, poet sudez. Në të vërtetë i qe dhënë në vitin 1918, por ai nuk e pranoi për korrektësi, sepse ishte anëtar i Akademisë suedeze. Ishte rast i pashoq.
Nëse shikojmë vendet e nobelistëve të letërsisë, vërejmë se vendin e parë për numër e zë Franca, me 14 shkrimtarë, pasuar nga SHBA-të e Gjermania me 11, Mbretëria e Bashkuar e Suedia me 8. Italia është në këmbën e katërt të shkallës së podiumit, së bashku me Spanjën e Poloninë.
Pasojnë Rusia e Danimarka (5), Irlanda(4), Norvegjia (3), e pastaj India, Zvicra, Kili, Greqia, Japonia, Turqia e Jugu Afrikan (2). Në se ndalohemi tek gjuhët, vendin e parë e zë anglishtja, me 26 nobelistë. Pasohet nga frëngjishtja me 14 fitues dhe hispanishtja e gjermanishtja me 13.







All the contents on this site are copyrighted ©.