2012-10-12 14:23:13

Papa, Etërve konciliarë: risim, jo shkëputje nga tradita, kumtim i aktualitetit të përhershëm të fesë.


Janë ende gjallë 69 nga Etërit konciliarë që, 50 vjet më parë, morën pjesë në Koncilin II të Vatikanit. Benedikti XVI e përshëndeti, sot paradite, një grup të vogël prej tyre, duke e pritur në audiencë, së bashku me kryetarët e Konferencave ipeshkvnore botërore, me Patrikun ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeun I dhe Primatin e Bashkimit anglikan, Rouan Uiliams. Benedikti XVI e përqendroi fjalimin e rastit tek aktualiteti i pandryshueshëm i mesazhit të krishterë që, nënvizoi, nuk duhet të ulet në nivelin e shijeve të opinionit publik.RealAudioMP3

Nuk janë fjalët pa kohë të Ungjillit, që duhet t’u përshtaten modave intelektuale të atyre, që i dëgjojnë. Përkundrazi: është aktualiteti i jetuar nga njeriu, ai që duhet të drejtohet vazhdimisht kah Amshimi i Zotit, shprehur përmes Fjalëve të Jezusit. I rrethuar nga fytyrat, sot më të plakura, të atyre që, së bashku me të, ndanë gëzimin e ‘kohës së hirit” të Koncilit II të Vatikanit, Benedikti XVI i shtoi një katror të ri, mozaikut madhështor të reflektimit mbi Koncilin, i cili prej ditësh është në qendër të vëmendjes në mendimet e tij. Papa e mbështeti fjalimin posaçërisht mbi një fjalë tejet të diskutuar që, kujtoi, përsëritej vazhdimisht gjatë punimeve konciliare: “azhurnim”. Për disa, vijoi, ishte një fjalë jo aq e këndshme; për të tjerë, entuziaste. Por Papa shkoi përtej kësaj rrahjeje mendimesh, në fund të fundit shterpe:
“Jam i bindur se intuita, që Gjoni XXIII e përmblodhi me këtë fjalë, ishte e vijon të jetë edhe sot e saktë. Krishterimi nuk duhet parë si “diçka që i përket së kaluarës”, e as duhet jetuar me syrin drejtuar gjithnjë mbrapa, sepse Jezu Krishti është dje, sot e për amshim”.
Hyji i amshuar, që hyri në kohë, që është i pranishëm në të gjitha kohët, vijoi Benedikti XVI, e bën krishterimin gjithnjë të ri:
“Nuk duhet ta shikojmë kurrë si pemë të zhvilluar plotësisht nga fara e senapit ungjillor që, si rritet e jep fryte, një ditë të bukur, plaket e arrin në perëndimin e energjisë së vet jetike. Krishtërimi, thënë figurativisht, është pemë në agim të përhershëm, është gjithnjë i kërthnezët”.
Parë me këtë sy, atëherë, të flasësh për risim, pohoi Benedikti XVI, nuk do të thotë të shkëputesh nga tradita, përkundrazi, kjo fjalë shpreh gjallëri të vazhdueshme:
“Nuk do të thotë ta kufizosh fenë, duke e ulur në modën e kohëve, duke e matur me metrin e asaj, që pëlqehet, asaj që ia kënda opinionit publik. Përkundrazi: pikërisht siç bënë Etërit konciliarë, duhet ta çojmë të sotmen, që jetojmë, tek masa e krishterimit, duhet ta çojmë të sotmen e kohës sonë, në të sotmen e Hyjit”.
E ata, që ia dalin mbanësh, në çdo epokë, ta çojnë Zotin në të sotmen e historisë dhe historinë, në amshimin e Zotit, janë Shenjtorët, theksoi Papa dhe përfundoi duke uruar që të gjitha Kishat të rikthehen tek burimi i Ungjillit, duke përfituar edhe nga kjo kohë e veçantë hiri, që sapo filloi:
“Viti i Fesë, të cilin e nisëm dje, na tregon mënyrën më të mirë për ta kujtuar e për ta kremtuar Koncilin: duke u përqendruar në zemrën e mesazhit të tij, që në fund të fundit nuk është tjetër, veçse mesazh i besimit në Krishtin, të vetmin shëlbues të botës, shpallur nga njeriu i kohës sonë. Edhe sot është e rëndësishme dhe themelore ta çojmë rrezen e dashurisë së Zotit në zemër të jetës së çdo burri e të çdo gruaje, e t’i çojmë burrat e gratë e çdo vendi e të çdo epoke, tek Zoti”.








All the contents on this site are copyrighted ©.