Në Sinod: kemi nevojë për një hov të ri misionar; më tepër kujdes për çiftet e ndara
e të rimartuara
Sesioni i shtatë i Sinodit të Ipeshkvijve mbi ungjillëzimin e Ri në Vatikan. Sot,
Papa Benedikti XVI shkoi për drekë me etërit konciliarë dhe me pjesëmarrësit në Asamblenë
e Ipeshkvijve të gjithë botës. Pasdite, diskutimi vazhdoi me ndërhyrjen e kryetarit
të Akademisë Papnore të Shkencave, Verner Arber, Çmim Nobel për mjekësinë në vitin
1978. Ndërkaq, dje, pjesëmarrësit e sinodit reflektuan për rolin e famullive, që u
quajtën “vende të privilegjuara” për ungjillëzimin e ri. Argumenti tjetër i rëndësishëm
ishte roli i mjeteve të komunikimit shoqëror. Sinodi u kërkoi barinjve të Kishës,
mësuesve dhe katekistëve ta kuptojnë më mirë sfidën e ungjillëzimit në një botë, në
të cilën mass-mediat kanë pushtet mbi sferën fetare e morale të njeriut. Nuk mjafton
që Kisha të ketë gazeta, radio e televizione të vetat, apo të nxisë prodhimin e filmave
fetarë. Është e nevojshme, theksuan ipeshkvijtë, të afrohen besimtarët me natyrën
e misterit të fesë, si ilaç kundër spektakolarizimit të realitetit. Praktikisht, Kisha
duhet të jetë komunikuese e gazetarët, për ta ndezur shpresën e njeriut përmes së
vërtetës, duhet ta ndjejnë veten si kapiten anije, nisur për të shpëtuar njerëzimin
nga deti i trazuar i shekullarizmit bashkohor. Asambleja nuk harroi edhe të sëmurët
e të vuajturit, duke kërkuar që të konsiderohet ungillëzim, sidomos kujdesi për të
sëmurët rëndë dhe lehtësimi i dhimbjeve të tyre, pasi Kisha është bashkësi e shëruar
nga Zoti, që pikërisht për këtë, mund të shërojë të tjerët. Duke folur për të rinjtë,
të cilët kanë etje për Zotin, por janë larg praktikës së krishterë, Sinodi vuri theksin
mbi vëmendjen, që u duhet kushtuar sidomos fëmijëve të çifteve të ndara e të martuara
sërish me të tjerë. Shpesh, ata mbeten jashtë jetës sakramentore, për shkak se prindërit
nuk marrin pjesë në të. Ipeshkvijtë kërkuan edhe rishikimin e mënyrave e të kohëve
për njohjen e anullimit të martesës.