2012-10-12 12:51:43

Benedikti XVI: në rrjetën e Pjetrit ka edhe peshq të këqij, por mirësia e Zotit është më e fortë se brishtësia njerëzore.


Mirësia e Zotit është më e fortë se mëkati i njeriut: kështu u shpreh Papa mbrëmë, duke përshëndetur nga dritarja e studios së tij një mori besimtarësh, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në përfundim të manifestimit me qirinj ndezur, organizuar nga Veprimi Katolik. Ishte përkujtim i hapave të para të aventurës së Koncilit II të Vatikanit, që nisi 50 vjet më parë, me të famshmin “Fjalim për hënën” të Gjonit XXIII. Por, të dëgjojmë fjalët e Benediktit XVI:RealAudioMP3
“Kemi parë se në arën e Zotit ka gjithmonë edhe egjër. Kemi parë se në rrjetën e Shën Pjetrit gjinden edhe peshq të këqij. E kemi parë se brishtësia njerëzore është e pranishme edhe në Kishë, se barka e Kishës lundron edhe kundër erës, përballë stuhive, që e kërcënojnë”.
Shprehje vërtet të forta, këto të Benediktit XVI, që vijoi, i rrethuar nga turma e emocionuar thellësisht, rrëfimin: “Edhe unë isha në Shesh më 11 tetor 1962, atë natë, 50 vjet më parë, kur i Lumi Gjoni XXIII tha fjalët e paharrueshme, që i dolën nga zemra. Qemë të lumtur atë natë, plot me entuziazëm”.
Ishte një kujtim personal i Papës ky, që e preku zemrën e turmës, duke e nxitur të kujtojë rrugën 50 vjeçare, në të cilën eci Kisha e Koncilit, e sigurt se për të po niste një stinë e blertë. Po niste...:
“Pranvera e re e Kishës. Rrëshajët e reja, me praninë e re të fuqishme të hirit çlirues të Ungjillit”.
50 vjet pas kësaj stine, Benedikti XVI foli me fjalë, që shprehnin një gëzim më të përmbajtur, më të përvuajtur, nga që në këto 50 vjet, theksoi “pamë se mëkati i zanafillës ekziston e vijon të shprehet në mëkatet personale, që mund të bëhen edhe struktura të mëkatit”. Me përvujtëri të thellë, Benedikti XVI u rrëfeu besimtarëve ligështinë e dyshimit:
“E ndonjë herë na shkoi mendja edhe se Zoti fle, se na harroi”.
Po dyshimi davaritet menjëherë nga forca e fesë, që e mbush zemrën njerëzore me besimin e pranisë së Zotit, pavarësisht nga brishtësia e njeriut:
“Kjo është një pjesë e përvojës së këtyre 50 vjetëve, por patëm edhe një përvojë të re të pranisë së Zotit, të mirësisë së Tij, të forcës së Tij. Zjarri i Shpirtit Shenjt, zjarri i Krishtit, nuk është zjarr që shkrumbon, që rrënon: është zjarr i heshtur, flakëz e vogël e mirësisë, e mirësisë dhe e vërtetësisë, që shndërron, që jep dritë e ngrohtësi”.
Prej këndej, thirrja për ta lëshuar veten plotësisht në dorë të Zotit:
Kemi parë se Zoti nuk na harron edhe sot, me mënyrën e Tij të përvuajtur. Zoti është i pranishëm e i ngroh zemrat, jep jetë, krijon karizma mirësie e dashurie, që ndriçojnë botën e janë për ne garanci e mirësisë së Tij. Po, Krishti jeton, është me ne, është me ne edhe sot, e edhe sot mund të jemi të lum, sepse mirësia e Tij nuk shuhet, është e fuqishme edhe sot e kësaj dite”.
Më pas Benedikti XVI kujtoi fjalët e të Lumit Gjoni XXIII, shkëputur nga ai, që mbeti në histori si “Fjalimi për hënën”, fjalë të paharrueshme, plot poezi e mirësi, fjalë zemre që, tha Papa Ratcinger, po i bëj të miat:
“Shkoni në shtëpi, jepuni një puthje fëmijëve e thojuni se po i puth Papa!”.Puthja, që u dha Benedikti XVI fëmijëve mbrëmë u bë simbolikisht një me puthjen e largët, që 50 vjet më parë nisej nga e njëjta dritare, i njëjti Shesh, për të hyrë në mbarë shtëpitë e botës, ku rriten fëmijë, ardhmëri e njerëzimit, ashtu si edhe bekimi përfundimtar, që 50 vjet pas Koncilit, shënon vijimin e udhës konciliare të Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.