Që nga e diela e kaluar, ka filluar në Vatikan, Sinodi i Ipeshkvijve për Ungjillëzimin
e Ri. Sot, në meshën për hapjen e Vitit të Fesë, etërit sinodalë bashkëkremtuan me
Papën Benedikti XVI, duke ia besuar Zotit udhën e Kishës Katolike, gjithnjë në kërkim
të së vërtetës, gjithnjë drejt përsosjes. Pikërisht fjala “sinod i ipeshkvijve”
është argumenti i emisionit të sotëm.
Jo të gjithë e dinë se Sinodi i ipeshkvijve
e ka zanafillën me Koncilin II të Vatikanit, hapja e të cilit mbush, pikërisht sot,
50 vjet. “Sinodi – thoshte Papa Gjon Pali II – është një shprehje veçanërisht
e frytshme dhe një mjet me shumë vlerë për kolegjialitetin ipeshkvnor”. Ai është
një institucion i përhershëm i Kolegjit ipeshkvnor të Kishës Katolike. Qe Papa Pali
VI ai, që e themeloi më 15 shtator 1965, si përgjigje ndaj kërkesës së pjesëmarrsve
të Koncilit II të Vatikanit për ta mbajtur gjallë përvojën e kësaj ngjarjeje të madhe
për krishterimin. Sinodi e filloi punën me anë të Letrës Apostolike – Motu proprio,
që titullohej “Apostolica sollicitudo” dhe shprehte gjithë shqetësimin e Atit
të Shenjtë për t’i qëndruar pranë Popullit të Zotit e për të gjetur mënyrat më të
mira për ta udhëhequr. Në Letër, sinodi përcaktohet si asambleja e përfaqësuesve të
episkopatit katolik, me detyrë të ndihmojë Papën me këshilla, në qeverisjen e Kishës
universale. Funksionimi i sinodit parashikohet nga Kosi i së Drejtës Kanonike(can.
342-348). Ai thirret, kryesohet dhe mbyllet gjithnjë ngë Papa i Romës. Anëtarët
e sinodit të ipeshkvijve zgjidhen nga sivëllezërit e Kolegjit ipeshkvnor, ose caktohen
drejtpërdrejt nga Ati i Shenjtë. Në këtë asamble mund të marrin pjesë edhe persona
jo ipeshkvij, që thirren si ekspertë, ose për arsye të tjera. Dje, për shembull, në
sinod foli primati i anglikanëve e janë të pranishëm edhe autoritete të feve të tjera. Sinodi
mblidhet në tri forma: Asambleja e përgjithshme e zakonshme, që përfaqëson
gjerësisht ipeshkvijtë e të gjithë botës dhe mblidhet çdo tri vjet për të diskutuar
mbi çështje me interes global; Asambleja e përgjithshme e jashtëzakonshme, ku merr
pjesë një përfaqësi më e vogël e ipeshkvijve të botës. Ajo mblidhet, sipas rastit,
për të diskutuar mbi tema urgjente, me interes të përgjithshëm; Asambleja e veçantë,
e përbërë nga ipeshkvijtë e një zone të caktuar gjeografike, të cilët diskutojnë për
çështje, që kanë të bëjnë pikërisht me atë rajon. I fundit i këtij lloji, qe Sinodi
për Lindjen e Mesme.
Në Kishën Katolike, Sinodi shpreh mendime e voton
për vendime, që nuk janë kurrë përfundimtare, por shërbejnë si këshilla për Papën,
i cili, duke u bazuar në to, shkruan Nxitjen Apostolike pas-sinodale. Kemi të bëjmë
me një dokument të magjisterit të papëve, që i propozon krejt Kishës reflektimet e
sinodit. Në përgjithësi, punimet e Asamblesë paraprihen nga hartimi i dy dokumenteve,
që përcaktojnë më pas tematikat e veçanta. I pari, quhet “Lineamenta” e në të, sekretaria
e Sinodit të Ipeshkvijve përvijon temat, që duhen diskutuar në asamble, sipas kërkesës
së ipeshkvijve të të gjithë botës. Vetë ipeshkvijtë shprehin mendime e sugjerime pas
leximit të “Lineamenta”-ve, të cilat përmblidhen në një dokument të dytë, i quajtur
“Instrumentum Laboris”, bazë për diskutimet e mëvonshme të ipeshkvijve në Sinod. Përse
Kisha i konsideron të rëndësishme Sinodet e Ipeshkvijve? Sepse ato janë mënyra e saj
për të qëndruar në këtë botë e për t’u dhënë përgjigje problemeve e çështjeve, që
shqetësojnë njeriun bashkohor, por edhe për të kuptuar se ç’dëshiron Zoti në atë çast
të caktuar historik, sipas fjalës, që na ka lënë vetë Jezu Krishti: “Kam edhe shumë
të tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë ai - Shpirti i
së Vërtetës - Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej
vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të
më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve” (Gjn 16, 12-14).
E me shpresën që Shpirti i Shenjtë të na zbulojë si duhet të ndryshojë Kisha për të
qenë e gjallë, për t’u zhvilluar e për të rilindur çdo ditë në botë, u urojmë etërve
sinodalë, punë të mbarë.