2012-10-11 21:48:23

Papa në Sheshin e Shën Pjetrit për 50-vjetorin e Koncilit: “Zoti nuk na harron. Krishti është i gjallë edhe sot!”.


“Edhe unë isha atë natë, 50 vjet më parë, në Sheshin e Shën Pjetrit, kur i Lumi Gjoni XXIII tha fjalët e paharrueshme, që i dolën nga zemra. Ishim të lumtur atë natë, plot me entuziazëm, të sigurt për ardhjen e pranverës së re, të Rrëshajëve të reja, me hirin çlirues të Ungjillit”. Me këto fjalë iu drejtua Benedikti XVI turmës, më se 40 mijë besimtarë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit me ftesën e Veprimit Katolik dhe të Dioqezës së Romës, për të kujtuar 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit dhe fjalimin që pati shqiptuar Gjoni XXIII më 11 tetorin e vitit 1962, në përfundim të ditës historike, kur më se 3000 ipeshkvij nga mbarë bota hynë me procesion në Bazilikën e Vatikanit për të nisur punimet e asamblesë më të madhe sinodale, që ishte mbajtur ndonjëherë në histori.“Në këto 50 vjet pamë se në rrjetën e Shën Pjetrit gjinden edhe peshq të këqij. Pamë stuhitë, që kërcënojnë barkën e Kishës, vijoi Papa, e menduam se Zoti fle, se na harroi. Por patëm edhe provën e pranisë së re të Shpirtit Shenjt, zjarr i heshtur, flakë e vogël mirësie dhe e kuptuam se Zoti nuk na lëshon dore, nuk na harron, në mënyrën e tij të përvuajtuar është gjithnjë i pranishëm. Krijon karizma vërtetësie e mirësie. Krishti, pohoi me forcë Benedikti XVI, është i gjallë edhe sot!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.