2012-10-11 15:55:15

Papa në Meshën për hapjen e Vitit të Fesë, 50 vjet pas Koncilit II të Vatikanit: “Ta kumtojmë Krishtin në shkretëtirat e botës bashkohore.


Kisha Katolike filloi sot Vitin e Fesë, vit përtëritje për të gjithë besimtarët, i cili, siç tha papa në Meshën solemne të paradites, duhet të zgjojë etjen për t’ia kumtuar Krishtin njeriut bashkohor, duke u bazuar në dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kremtim madhështor, me pjesëmarrjen e etërve sinodalë, ipeshkvijve të mbarë botës e të etërve konciliarë, ai i sotmi, në 50-vjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit e në 20-vjetorin e botimit të Katekizmit të Kishës Katolike. 400 bashkëkremtuesit, ndër të cilët 8 patrikë të Kishave Lindore, 80 kardinaj e 15 etër konciliarë, u ngjitën në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, në një procesion sugjestiv para mëse 20 mijë besimtarëve. Në fund të Meshës, Ati i Shenjtë i dorëzoi Popullit të Zotit, 7 mesazhet e Koncilit II të Vatikanit për njerëzimin dhe Katekizmin e Kishës Katolike:RealAudioMP3
“Me gëzim të madh sot, 50 vjet pas hapjes së Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, fillojmë Vitin e Fesë”.
Është Krishti, qendra e fesë sonë, nënvizoi Papa gjatë homelisë së meshë, në një atmosferë solemne e festive. Zoti është ai, që ungjillëzon botën, përmes Jezu Krishtit, i cili ia ka lënë Kishës misionin e vet, që e vazhdon përmes ndikimit të Shpirtit Shenjt mbi dishepujt e vet, deri në fundin e kohrave. Benedikti XVI kujtoi se edhe Papa Pali VI pati shpallur një Vit Feje më 1967, përmendi Jubileun e Vitit 2000, me të Lumin Gjon Pali II, për të theksuar se Viti i Fesë, që nisi sot, i ka rrënjët në rrugën 50-vjeçare të Kishës, që nga Koncili. Ati i Shenjtë përdori fjalët e Papës Gjoni XXIII në përurimin e asamblesë konciliare, për të nënvizuar se qëllimi i Koncilit II të Vatikanit nuk ishte diskutimi për këtë, apo atë temë të doktrinës së krishterë, por të bëhej e mundur që “ajo doktrinë e sigurtë dhe e pandryshueshme, që duhet respektuar me besnikëri, të thellohej e të paraqitej në mënyrë të tillë, që t’u përgjigjej kërkesave të kohës”. Benedikti XVI vuri në dukje se e ka provuar vetë, gjatë përvojës së tij konciliare, se mund t’i paraqitet bukuria e fesë botës bashkohore, pa e flijuar sipas modave të së tashmes dhe pa e mbajtur të lidhur me zinxhirë me të kaluarën:
“Prandaj, mendoj se gjëja më e rëndësishme, sidomos në një përvjetor domethënës si aktuali, është të përtërihet në të gjithë Kishën ai tension pozitiv, ajo etje për t’ia kumtuar sërish Krishtin njeriut bashkohor”.
Por, paralajmëroi Papa, nuk duhet kaluar në konfuzion, prandaj Kisha duhet të bazohet në dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, të cilave duhet t’u kthehemi për të kuptuar trashëgiminë e vetë Koncilit:
“Etërit konciliarë dëshironin ta paraqisnin fenë ashtu si duhet; e nëse filluan me besim dialogun me botën moderne, e bënë pikërisht sepse ishin të sigurtë në fenë e tyre, mbështeteshin në një shkëmb të patundur. Ndërsa, në vitet e mëpasme, shumë e kanë dëgjuar pa e shoshitur mendësinë mbizotëruese, duke vënë në diskutim vetë bazat e ‘depositum fidei’, që, fatkeqësisht, nuk i ndjenin më si të vërteta”.
Kisha propozon sot një Vit për Fenë jo për të nderuar një përvjetor, theksoi Papa, por sepse pikërisht sot ka shumë nevojë për të, edhe më shumë se 50 vjet më parë. Bota po përjeton një lloj shkretimi shpirtëror, por pikërisht nga ky boshllëk duhet filluar puna për rizbulimin e gëzimit të fesë:
“E në shkretëtirë ka nevojë sidomos për njerëz të fesë, që, me jetën e tyre, na tregojnë rrugën drejt Tokës së premtuar e kështu, e mbajnë gjallë shpresën. Feja e jetuar ia hap zemrën Hirit Hyjnor, që na çliron nga pesimizmi. Sot, më shumë se kurrë, të ungjillëzosh do të thotë të dëshmosh një jetë të re, të shndërruar nga Zoti, e kështu, t’u tregosh njerëzve udhën”.
Benedikti XVI iu referua leximit të parë të Meshës së sotme, që flet për urtinë e udhëtarit, i cili ka mësuar artin e të jetuarit dhe e ndan atë me vëllezërit. Kështu ndodh edhe me shtegtarët e Udhës së Santiagos, apo të shtegtimeve të tjera, ku njerëzit shkojnë, sepse aty gjejnë kuptimin e ekzistencës së tyre në botë:
“Ja pra, si mund ta përfytyrojmë këtë Vit të Fesë: një shtegtim në shkretëtirat e botës bashkohore, në të cilin të marrim me vete vetëm gjërat më të nevojshme: jo shkopin, jo çantën, as bukën, as paratë e as dy mantele – siç u thotë Jezu Krishti Zot apostujve, kur i dërgon me mision (Lk 9,3) – por Ungjillin e fenë e Kishës, shprehje e ndritshme e të cilave janë dokumentet e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit”.
Ceremonia e sotme u pasurua me disa elemente, që të kujtojnë pikërisht Koncilin. Procesioni i hyrjes na kujtoi atë të etërve konciliarë në Bazilikën e Shën Pjetrit; pastaj, fronëzimi i Librit të Ungjijve, kopje e atij që u përdor në Koncil; e së fundi, dorëzimi i mesazheve të Koncilit dhe të Katekizmit të Kishës Katolike. Elementë të tjerë kujtuan frymën ekumenike të Koncilit, si ndërhyrja e Patrikut të Kostandinopojës Bartolomeu I, i cili uroi të shembet muri ndërmjet Kishës së Lindjes dhe asaj të Perëndimit. Duke kujtuar popujt e vuajtur të Lindjes së Mesme, urimi tjetër i Patrikut, që dëshira për harmoni ndërmjet të krishterëve, shprehur sot, të jetë shembull për botën e të na japë mundësinë të punojmë së bashku për t’u lehtësuar dhimbjen popujve.








All the contents on this site are copyrighted ©.