2012-10-11 14:03:30

Papa: Etërit konciliarë nuk deshën të krijojnë një Kishë të re, por ta përtërinin atë, në vazhdimësi me të kaluarën


Gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” boton një numër të veçantë, me rastin e 50-vjetorit të hapjes së Koncilit II të Vatikanit. 40 mijë kopje me tregime të ndjera të epokës konciliare, me detaje kronike pak të njohura e me fotografi të rralla. Numri i veçantë fillon me një tekst të Papës Benedikti XVI, i cili mori pjesë në Koncil si teolog.
Etërit konciliarë, shkruan Ati i Shenjtë, “nuk mund e nuk donin të krijonin ndonjë fe të ndryshme, ose ndonjë Kishë të re, por t’i kuptonin të dyja me thellë e pastaj, t’i rinovonin vërtet”. Ata, që e interpretojnë Koncilin si shkëputje të plotë nga e kaluara, gabojnë rëndë, nënvizon Benedikti XVI, i cili kujton emocionet që pati, si teolog i ri, i pranishëm në punimet e Koncilit:
“Më bëri kaq shumë përshtypje kur pashë të hynin ipeshkvijtë e ardhur nga e gjithë bota, nga të gjithë popujt e racat: një imazh i Kishës së Jezu Krishtit, që përqafon gjithë botën, në të cilën, të gjithë popujt e botës ta ndjejnë veten të bashkuar, në paqe. Ishte çast aspiratash të mëdha. Gjëra të mëdha duhej të ndodhnin”.
Krishterimi, që kishte ndërtuar e plazmuar bota perëndimore, vazhdon Benedikti XVI, dukej sikur po e humbiste vazhdimisht forcën. Dukej i lodhur, sikur e ardhmja përcaktohej nga fuqi të tjera shpirtërore, kishte nevojë të përtërihej. E ipeshkvijtë, kujton akoma Papa, erdhën në Koncil me ide të ndryshme, por përparësitë ishin të përbashkëta: tema e ekleziologjisë, rivlerësimi i shërbimit ipeshkvnor në kontekstin e primatit papnor, cikli tematik Zbulimi – Shkrimi i Shenjtë, Tradita – Magjisteri, risitë liturgjike – tepër të rëndësishme, sidomos për ipeshkvijtë e Evropës Qendrore – por edhe ekumenizmi, argument shumë i ndjerë nga ipeshkvijtë gjermanë.
“Ndër francezët – sjell ndërmend Benedikti XVI – u vu gjithnjë e më shumë në plan të parë, tema e marrëdhënieve ndërmjet Kishës dhe botës moderne, apo punimet rreth së ashtuquajturës ‘Skema XIII’, nga e cila lindi Kushtetuta baritore mbi Kishën në botën bashkohore”. “Këtu prekej pika, që kishte zgjuar më tepër aspetativa në Koncil. Kisha, e cila në epokën baroke e kishte, si të thuash, plazmuar botën, duke filluar nga shekulli XIX, po hynte gjithnjë e më shumë në marrëdhënie negative me epokën moderne. A mos vallë gjërat duhej të mbeteshin kështu? – pyet Papa në artikullin e “L’Osservatore Romano”-s. A s’mundej Kisha të bënte një hap pozitiv në kohët e reja?”.
Takimi me temat e mëdha të epokës bashkohore nuk u bë përmes Kushtetutës baritore, kujton Ati i Shenjtë, por përmes dy dokumenteve më të vogla: Deklaratës për lirinë fetare, hartuar sidomos me kontributin e episkopatit amerikan, dhe Deklaratës “Nostra Aetate”, mbi marrëdhëniet e Kishës me fetë jo të krishtera. Teksti i parë pohonte se njeriu është i lirë të zgjedhë e të praktikojë fenë që do e ta ndryshojë atë, ndërsa i dyti lindi fillimisht si deklaratë për marrëdhëniet ndërmjet Kishës e hebraizmit, e nevojshme pas tmerreve të Shoah-ut, por më pas, etërit konciliarë shtuan pjesë për Islamin, budizmin e për dialogun e bashkëpunimin ndërmjet feve. Një mungesë në këtë tekst, vëren Benedikti XVI, është injorimi i formave të sëmura të fesë, që nga pikpamja historike e teologjike, kanë ndikim të madh. Ai i Shenjtë e përfundon tekstin e tij duke theksuar se nëse në fillim të Koncilit II të Vatikanit, mbizotëronin episkopatet e Evropës Qendrore, gjatë fazave të ndryshme bashkëpunimi u zgjerua gjithnjë e më shumë:
“Ipeshkvijtë e ndjenin veten nxënës në shkollën e Shpirtit Shenjt e në shkollën e bashkëpunimit të ndërsjelltë, por pikërisht në këtë mënyrë, e kuptonin se ishin shërbëtorë të Fjalës së Zotit, që jetojnë e veprojnë me fe”.







All the contents on this site are copyrighted ©.