2012-10-11 21:48:39

Manifestim i madh në Sheshin e Shën Pjetrit: si 50 vjet më parë për Koncilin, ashtu edhe sonte për Vitin e Fesë.


Ditë e ngarkuar me emocione, e sotmja, për mbarë Kishën Katolike, shpirtërisht e pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, në kremtimin e hapjes së Vitit të Fesë, kryesuar nga Papa Benedikti XVI.
“Fillon kështu një Vit, na kujton Papa në Letrën “Porta Fidei” (Porta e Fesë), gjatë të cilit do të rikujtohet historia e fesë sonë, që shikon misterin e padepërtueshëm të gërshetimit ndërmjet shenjtërisë e mëkatit. Ndërsa e para vë në pah kontributin e madh, që i kanë dhënë burrat e gratë rritjes dhe zhvillimit të bashkësisë, me dëshminë e jetës së tyre, i dyti duhet të shkaktojë në shpirtin e secilit kthesën e sinqertë e të përhershme në rrugën e Zotit, për të shijuar mëshirën e Atit, që vjen të na takojë të gjithë.
Në këtë kohë duhet t’i mbajmë sytë të ngulur mbi Jezu Krishtin “Atë që i jep zanafillën fesë dhe e çon drejt përkryerjes (Heb 12,2). Në Të përmbushet çdo dëshirë, shuhet çdo etje njerëzore. Gëzimi i dashurisë, përgjigjja e dramës së vuajtjes e të dhimbjes, forca e faljes, kur na fyejnë dhe ngadhënjimi i jetës përballë zbrazësisë së vdekjes, gjithçka përmbushet në misterin e mishërimit të Krishtit, që bëhet njeri e ndan me ne ligështinë njerëzore, për ta shndërruar, me pushtetin e Ngjalljes së Tij. Në Të, që vdiq e u ngjall për shëlbimin tonë, ndriçohen me dritë të plotë shembujt e fesë, që lanë gjurmë në këto dymijë vjet të historisë sonë të shëlbimit”.
Pikërisht dymijë vjetët e historisë së Fesë përshkoi simbolikisht manifestimi, organizuar nga Veprimi Katolik Italian me temë “Kisha e bukur e Koncilit”, për të përkujtuar 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit, në përkim me hapjen e Vitit të Fesë.
Ashtu si 50 vjet më parë, në mbrëmjen e hapjes së Takimit të madh konciliar, procesioni me qirinj ndezur qe rast për t’u shtrënguar rreth Gjonit XXIII, kështu edhe sonte besimtarët u mblodhën plot entuziazëm rreth Benediktit XVI.
Manifestimi filloi në orën 18.30 me tubimin festiv të pjesëmarrësve, që e mbushën Sheshin Gjoni XXIII me tinguj këngësh e vallesh. Nisja, pastaj, nëpër Rrugën e Pajtimit, me qirinj ndezur, që dukeshin si yje, zbritur nga qielli, ndërsa errësira e natës blu të vjeshtës romake zbriste ngadalë mbi ndërtesat në të dy anët e rrugës, për të vënë edhe më në pah Sheshin e ndriçuar përballë e, sidomos, Kryqin në majë të Kupolës së Bazilikës, simboli më shprehës i kësaj feste feje e i vetë Kishës së bukur të Koncilit. Kënga ‘Iubilate Dei’, Besojma, lutja e besimtarëve, video kushtuar Koncilit, fjalimi i kardinalit Valini, videofjalimi i imzot Kapovilës, ish–sekretar i Gjonit XXIII, shoqëruar nga këngët e përshpirtshme të korit, nën drejtimin e imzot Frizinës, pasuan njëra-tjetrën, në pritje të çastit kulmor, dukjes së Benediktit XVI në dritaren e Pallatit Apostolik, për t’i drejtuar fjalën manifestuesve e përmes tyre, mbarë botës katolike në fillimin e këtij Viti të Fesë si dhe për t’i siguruar se Zoti është i pranishëm mes nesh, se Krishti është i gjallë edhe sot!
Të gjitha Kishat e Romës, sonte të hapura, ishin plot me besimtarë në lutje e adhurim eukaristik.
Atmosfera e festës u përhap në mbarë botën katolike, me lutje e veprimtari të ndryshme. Nisi shpërndarja botërore e filmit dokumetar “Koncili II i Vatikanit, pas 50 vjetësh”, realizuar nga Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore, në bashkëpunim me Micromegas Comunicazione.
Ndërkaq vijuan punimet e Sinodit të ipeshkvijve të mbarë botës, mbledhur në Kongregacionin e 6-të të përgjithshëm, që sollën në sallë shpresat, shqetësimet e sfidat e mbarë Kishave të Planetit.
Në Paris, Konferenca ipeshkvnore franceze organizoi një konferencë shtypi me temë “Të rinjtë, Kisha dhe Koncili II i Vatikanit”, me rastin e paraqitjes së projektit “YouCoun” (Koncili i të rinjve), nismë në përkim me Vitin e Fesë, me synim që të njihen e të promovohen mësimet e Koncilit II të Vatikanit në botën e të rinjve e përmes të rinjve.
Edhe katolikët shqiptarë u bashkuan shpirtërisht me Romën, në festën e hapjes së Vitit të Fesë, e me Papën Benedikti XVI, përmes pranisë së përfaqësuesit të tyre në Sinod, imzot Kristofor Palmierit, i pranishëm në manifestim si dhe me veprimtari të tjera në të gjitha kishat.Kështu, kjo ditë që shënon fillimin e një Viti plot veprimtari, i kujton besimtarëve rrugën e gjatë dymijëvjeçare të krishterimit, por edhe udhën e jetës së tyre, të fesë së tyre të krishterë, të takimit të tyre me Krishtin e Ngjallur.







All the contents on this site are copyrighted ©.