2012-10-10 18:09:03

Nesër, Çmimi Nobel për letërsinë. Del në plan të parë, hungarezi Peter Nadas.


Mund të jetë Peter Nadas, 70 vjeç, një nga shkrimtarët më të rëndësishëm hungarezë, e papritura e çastit të fundit nesër, në shpalljen e Çmimit Nobel për letërsinë. Mund t’ua kalojë, kështu, autorëve, emrat e të cilëve përmenden prej javësh nga dashamirët në mbarë botën. Kalojnë gojë më gojë emrat e japonezit Haruki Murakami, kinezit Mo Yan e irlandezit William Trevor.
Flitet edhe për një grua, për një autor veriamerikan, për nigerianin Chinua
Achebe, sirianin Adonis e algjerianen Assia Djebar. Blogu The Literary Saloon, i cili në dhjetvjeçarin e fundit i ka rënë shpesh në të emrit të fituesit, nënvizon keniotin Ngugi wa Thiong'o dhe izraelitin Amos Oz.
Në shtypin e Stokholmit (rimarrë nga ai aziatik) kujtohet edhe Mo Yan, si sinjal i pajtimit me Kinën, pas Nobelit të vitit 2000, kur Çmimi iu dorëzua Gao Xingjian, i padëshiruar në atdhe, prej kohe nënshtetas francez.
Ndërmjet italianëve, Umberto Eco dhe Dacia Maraini.
Emri i nobelistit më të pritur e më të diskutuar, do të shpallet nesër, më 11 tetor, në orën 13.00, në Stokholm, nga Peter Englund, sekretar i përhershëm i Akademisë Mbretërore Suedeze, i cili ka nderin ta kryesojë çdo vit këtë ceremoni, duke shpallur një nga emrat e listës, përfolur vite me radhë, në pritje të Çmimit të madh.Kujtojmë se kandidati i parë shqiptar për çmimin Nobel ishte Atë Gjergj Fishta, i fundit, Ismail Kadare. E kujtojmë edhe se ky çmim u jepet shkrimtarëve sa janë gjallë. Prej këndej, shumë të vdekur të lavdishëm nuk u panë kurrë në sallën e madhe të Stokholmit, ku shpallet e dorëzohet Çmimi, i shoqëruar me një shumë të kënaqshme parash, që i sigurojnë nobelistit të ri, mundësi për të krijuar në paqe, pa u shqetësuar më nga kushtet e vështira ekonomike.







All the contents on this site are copyrighted ©.