2012-10-10 13:50:15

Imzot Fizikela paraqiti Vitin e Fesë: të rigjejmë freskinë dhe hovin ungjillor


Nesër, Kisha Katolike fillon Vitin e Fesë, sipas dëshirës së Papës Benedikti XVI për t’i dhënë një hov të ri ungjillëzimit, përhapjes e rrënjosjes së Lajmit të Mirë të Krishtit. Vetë Ati i Shenjtë do të kremtojë paradite, në orën 10.00, meshën e përurimit, pikërisht në 50-vjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit. Sipas kryetarit të Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fizikela, ky kremtim do të jetë plot me shenja e simbole, që të kujtojnë Koncilin. Kështu e paraqiti ai fillimin solemn të Vitit të Fesë, në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Për shembull, do të lexohen pjesë nga katër Kushtetutat konciliare dhe do të përsëritet procesioni i gjatë i 12 tetorit 1962:RealAudioMP3
“Do të marrin pjesë të gjithë etërit sinodalë, që këtyre ditëve, janë të pranishëm në punimet e Sinodit për Ungjillëzimin e Ri; të gjithë kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore të botës dhe 14 etër konciliarë, që, pavarësisht nga mosha, arritën të vijnë në Romë. U ftuan 70 etër konciliarë, që janë akoma gjallë, por mosha e shtyrë dhe problemet e shëndetit i penguan të jenë mes nesh”.
Elemente të tjera, që do të kujtojnë Koncilin II të Vatikanit, do të jenë legjia, apo pupitri, dhe Bibla e përdorur 50 vjet më parë. Së fundi, ashtu siç pati bërë Papa Pali VI, i cili në fund të Koncilit i dha disa mesazhe Popullit të Zotit, edhe Benedekti XVI do të bëjë të njëjtën gjë, në fund të kremtimit eukaristik. Mesazhet e tij do t’u drejtohen qeveritarëve, njerëzve të shkencës e të mendimit, artistëve, grave, punëtorëve, të varfërve, të sëmurëve e të vuajturve, familjarëve të viktimave të rrugës, të rinjve dhe katekistëve. Secila prej këtyre kategorive do të përfaqësohet nga një personalitet i njohur ose jo i grupit, që do të marrë në dorëzim mesazhin. Kjo është Kisha, tha imzot Fizikela:
“Kalojnë vitet, por forca e Koncilit II të Vatikanit mbetet, me dëshirën që Ungjilli i Krishtit të arrijë në gjithë botën. Synimi ynë është t’u japim të krishterëve një arsye më shumë për t’u ndjerë pjesë e një Kishe, që nuk njeh kufij e që çdo ditë, e përtërin fenë e saj në Zotin me një impenjim jete paradoksal, për shkak të stilit, që duhet të ndjekim”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të disa gazetarëve, imzot Fizikela kujtoi se Viti i Fesë është menduar si diçka e veçantë, që mundohet t’i përgjigjet krizës së rëndë të fesë, por udha e tij ka filluar shumë kohë më parë:
“Ungjillëzimi i Ri është një nga frytet e Koncilit II të Vatikanit. Ai deshi t’i fliste për Zotin njeriut të sotëm. Kjo ishte rëndësia e tij më e madhe, që çoi në një plan baritor për Kishën. Tani, është e nevojshme që ky plan të jetë më unitar… të dëshmojë bashkimin në një të Kishës, më tepër se përvojat e veçanta”.
Pra, një mënyrë e re për ta vazhduar jetën e zakonshme të Kishës, si të ishte e jashtëzakonshme. Kreu i dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin e Ri tërhoqi vëmendjen ndaj gabimeve të së kaluarës:
“Mendoj se, në çaste të caktuara, ka superstruktura, që mund ta mbysin veprimin ungjillëzues të Kishës. E kemi burokratizuar tepër jetën kishtare e, edhe vetë Sakramentet, jetën sakramentore. Kemi nevojë të jemi sërish bashkësi, që kumtojnë takimin e prekshëm me Zotin, të afta ta shprehin gëzimin e këtij takimi. Nëse mbyllemi në vetvete, nëse jemi të kënaqur me vetveten, ungjillizimi i ri nuk mund të fillojë. Kështu, do të mbytej lëvizja për Ungjillëzimin e Ri”.
Në përfundim të konferencës për shtyp, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi njoftoi se duke filluar që sot, në audiencën e përgjithshme të Papës, do të jetë i pranishëm një folës arab, i cili do të përmbledhë katekizmin e Benediktit XVI e do të përkthejë përshëndetjet e Papës. Ky vendim është marrë në vazhdimësi me udhëtimin e fundit të Atit të Shenjtë në Liban e është shenjë e impenjimit të Vatikanit për Lindjen e Mesme.








All the contents on this site are copyrighted ©.