Audienca e përgjithshme. Benedikti XVI: ‘busulla’ e Koncilit shënon gjithnjë drejtimin
e lundrimit të Kishës.
Koncili II i Vatikanit është “thirrje e fuqishme për ta rizbuluar çdo ditë bukurinë
e fesë sonë”. Me këtë ftesë e përfundoi Benedikti XVI audiencën e përgjithshme, mbajtur
sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit. Në prag të hapjes së Vitit të Fesë, Papa ia
kushtoi katekizmin e sotëm takimit të madh konciliar, mbledhur 50 vjet më parë, në
të cilin ishte protagonist e aktiv dhe tek i cili, theksoi, duket të rikthehemi, duke
u çliruar nga intrepretimet, që shpesh e shtrembëruan.
Një afresk i
madh, i pikturuar me art, para të cilit duhet të përqendrohemi, a të ripërqendrohemi,
për t’ia zbuluar, a për t’ia rizbuluar pasurinë e jashtëzakonshme të fragmenteve,
të katrorëve, të copëzave të veçanta. Për njëzet minuta, Benedikti XVI i ftoi shtegtarët
e besimtarët, që e ndiqnin në Sheshin e Shën Pjetrit, ta admirojnë këtë afresk madhështor,
tek i cili u rikthye, duke parë me syrin e kujtimeve, ditën e vitet e atij, që Papa
Vojtila e quajti “Hiri i madh, nga i cili Kisha përfitoi shumë në shekullin XX”. Koncili
II i Vatikanit! Ditë e vite, mbi të cilat u depozituan, vërejti menjëherë Papa,
fundërrinat e shumë analizave, të cilat ia zbehën shkëlqimin e ia errësuan ngjyrat
fillestare: “Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, tek të cilat duhet të
rikthehemi, duke i çliruar nga masa e madhe e botimeve, të cilat shpesh, në vend që
t’i bëjnë të njohura , i fshehën, janë edhe për kohën tonë busull, që i krijon barkës
së Kishës kushtet për të dalë në det të hapur, mbi valët të stuhishme a të shtuara
e të qeta, për të lundruar e sigurt e për të arritur tek caku”. Profesori
Jozef Ratcinger ishte i pranishëm në Koncil me cilësinë e specialistit. E si i tillë,
u kujton njerëzve se, gjatë dy mijë vjet historie, kur Kisha thirri koncile, e bëri
këtë sepse iu desh të zgjidhte probleme doktrinore. Ndërsa, vërejti Benedikti XVI,
në gjysmën e shekullit XX, nuk ishte fjala për gabime doktrinore, që duheshin ndrequr.
Prandaj Gjoni XXIII u kërkoi Etërve Koncilarë të kërkonin e të gjenin një mënyrë të
re, energjike, për të rilidhur dialogun e fesë me një botë, që po largohej gjithnjë
më shumë nga Zoti: “Papa dëshironte që Kisha të reflektonte mbi fenë
e vet, mbi të vërtetat, që i prijnë. Por, përmes këtij reflektimi serioz, të thelluar,
mbi fenë, duhej skicuar në mënyrë të re lidhja e Kishës me epokën moderne, jo për
t’iu përshtatur, por për t’ia paraqitur kësaj bote, me prirje për t’u larguar nga
Zoti, nevojën e Ungjillit, në të gjithë madhështinë e në të gjithë pastërtinë e tij”. Sot
njerëzit interesohen shumë më tepër për mbretërinë e kësaj bote, sesa për mbretërinë
e qiellit, koha jonë është kohë e harresës së Zotit. Këto fjalë, cituar nga Benedikti
XVI, që na kujtojnë se kohës sonë i pëlqen më shumë të fluturojë poshtë e më poshtë,
se sa të rrahë flatrat drejt lartësive, dolën në vitin 1965 nga goja e Palit VI, kur
Koncili po i afrohej përfundimit. E pra, theksoi me forcë Papa Ratcinger, aktualiteti
i tyre është tronditës: “Ne shikojmë se koha, në të cilën jetojmë, vijon
të jetë koha e harresës, kohë që e bën veshin të shurdhër për zërin e Zotit. Mendoj,
prandaj, se duhet ta nxëmë mirë mësimin më të thjeshtë e më themelor të Koncilit,
atë, që na kujton se krishtërimi, në thelb, është besim në Zotin, në dashurinë trinitare
dhe takim personal e komunitar me Krishtin, që i prin jetës sonë, e udhëheq atë: të
tjerat janë rrjedhoja”. Duke kujtuar katër pikat themelore të busullës
së Koncilit II të Vatikanit, që mund ta orientojnë edhe Kishën e sotme në misionin
e saj ungjillëzues: Kushtetutat Koncilare ‘Sacrosantum Conculium’, ‘Lumen gentium’,
‘Dei Verbum’ dhe ‘Gaudium et spes’, Papa e përfundoi audiencën me urimin që trashëgimia
e Koncilit t’i ndihmojë të krishterët ta rizbulojnë çdo ditë bukurinë e fesë: “Gjëja
më e rëndësishme sot, pikërisht ashtu siç dëshironin Etërit Konciliarë, është të shikohet,
përsëri e qartë, se Zoti është i pranishëm, se na shikon, na përgjigjet. E edhe se,
kur mungon besimi në Zotin, shembet gjithçka është themelore, sepse njeriu humbet
dinjitetin e vet më të thellë, humbet atë që, në kundërshtim me çdo reduksionizëm,
e bën të madh humanitetin e tij”. Papa, si zakonisht, e përfundoi audiencën
e përgjithshme me përmbledhjen e katekizmit në gjuhë të ndryshme e, për herë të parë,
e përmblodhi edhe në gjuhën arabe.