2012-10-09 15:57:10

Nobeli për Mjekësinë dy shkencëtarëve, specialistë për qelizat burimore të rritura. Koment i kardinalit Sgreça


Çmimi Nobel për Mjekësinë iu dha dje në Stokholm dy studiuesve, britanikut Xhon Gurdon dhe japonezit Shinja Jamanaka, që kanë zbuluar se qelizat burimore të rritura mund të riprogramohen, duke u bërë pluripotente, si ato embrionale, të afta për t’u shndërruar në çdo lloj indi njerëzor.
Rezultat ky tepër i rëndësishëm për diskutimet, që i kanë ndarë shkencëtarët në dy grupe: ata, që mendojnë se duhen përdorur qelizat embrionale (pozicion me shumë probleme etike, në kundërshtim me qëndrimin e Kishës Katolike, pasi duhet sakrifikuar jeta e embrionit) dhe ata, që e kanë zhvendosur fushën e kërkimit mbi qelizat burimore të rritura, duke pasur madje, rezultate më të mira. Të dëgjojmë kryetarin e Fondacionit “Ut vitam habeant”, kardinalin Elio Sgreça:
“Qelizat staminale, apo burimore somatike dhanë, të parat, rezultate. Ndërsa, mbi qelizat burimore embrionale mbetet një problem i rëndë etik, sepse për t’i nxjerrë këto qeliza, duhet flijuar embrioni. Nga ana tjetër, akoma nuk është arritur asnjë sukses me to, pavarësisht se shumë qendra kombëtare e ndërkombëtare ngulin këmbë të financojnë kërkimet në këtë fushë, fonde, që natyrisht, nuk u jepen fushave të tjera, ku ka më shumë rezultate. Një fushë e tillë është përdorimi i qelizave burimore të rritura, të cilat e kanë treguar vlerën e tyre”.
Natyrisht, për përdorimin e tyre në mjekësi do të duhen akoma vite të tjera me eksperimente. Por që tani, këto qeliza të rritura, të cilat mund të merren shumë lehtë nga ndonjë pjesë e trupit të personit, kanë dhënë rezultate të rëndësishme, siç pohon kryetari i Shoqatës së Mjekëve Katolikë Italianë, prof. Domeniko Di Virgjilio:
“Shkenca ka treguar se qelizat e riprogramuara mund të shndërrohen në pluripotente e mund të përdoren për të kuruar shumë sëmundje degjenerative, neurologjike – si Alzhajmeri dhe Parkinsoni – shumë sëmundje tumorale e limfoma, shumë sëmundje, nga të cilat, dikur, mbijetonin vetëm 1-2 deri 3% e pacientëve. Sot, arrijmë në 75-80%. Pra, është një zbulim që do të sjellë shumë fryte, pavarësisht se nuk duhet të krijojmë iluzione. Që sot, duke përdorur qelizat burimore të rritura, është e mundur të kurojmë sëmundje, kundër të cilave, deri tani, nuk kishim asnjë mjet, apo sistem”.








All the contents on this site are copyrighted ©.