2012-10-08 17:57:06

Sinodi. Imzot Çeli: ungjillëzimi i ri është sfidë komunikative e Kishës.


Në përfundim të sesionit të parë të punimeve të Asamblesë së zakonshme të Sinodit të ipeshkvijve, në Sallën e Shtypit të Vatikanit u mbajt një takim i shkurtër, në të cilin mori pjesë edhe kardinali Donald Uërl, relator i përgjithshëm i Sinodit, si dhe kryeipeshkvi Klaudio Maria Çeli, kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore.
“Ta kumtosh Ungjillin në rrethana, që dallohen për teknologjitë e reja. Kjo është një nga sfidat themelore të ungjillëzimit të ri”, pohoi imzot Çeli, duke nënvizuar me saktësi një nga temat më të vështira, që duhet të përballojnë Etërit Sinodalë në përcaktimin e objektivave të ungjillëzimit të ri.
Ndërsa kardinali Donald Uërl, i nxitur nga pyetjet e gazetarëve, theksoi se një nga temat kryesore, që vihen në dukje në Sinod, është rifitimi i identitetit katolik, si ndërmjet besimtarëve të rinj, ashtu edhe atyre, që janë larguar nga feja. Mungesa e këtij identiteti krijon vështirësi të ndjeshme edhe në fushën ekumenike. Një nga bazat nga të cilat duhet të rinisemi në rrugën e ndërlikuar të ungjillëzimit të ri, shtoi akoma. është ajo, që na e siguron Katekizmi i Kishës Katolike, 20 vjet pas botimit.Por, si mund të realizohet transmetimi korrekt i lajmit ungjillor, fjala e Jezusit, në kontekstin aktual shoqëror? Si mund të gjindet metoda e drejtë? Imzot Çeli u foli gazetarëve për një Kishë që, për vetë natyrën e saj, duhet ta kumtojë Ungjillin. Në se nuk e kumton, tradhton thirrjen e vet. Nuk është çështje teknologjike, shpjegoi kryetari i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, por metodologjike. Duhet kuptuar si mund të dialogojë Kisha me burrat e gratë e kohëve të reja, duke hyrë në përkim me ta, duke jetuar me gazet e vajet e tyre, me shpresat e vështirësitë, arritjet e tensionet. Kisha, Mësuese, duhet të jetë edhe Nënë, të qëndrojë pranë e pranë njeriut e ta trajtojë me simpati të thellë.







All the contents on this site are copyrighted ©.