2012-10-08 10:30:39

"Fjalimi për Hënën" i Papës Gjoni XXIII


E pikërisht një ditë para hapjes së Sinodit të ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri, i cili do të diskutojë edhe për veprimtarinë e Kishës në botë, duke u nisur nga direktivat e Koncilit II të Vatikanit, po ju propozojmë “Fjalimin për Hënën” të Papës Gjonit XXIII, me zërin e tij…
“Të dashur bij, i dëgjoj zërat tuaja. I imi është një i vetëm, por përmbledh të gjitha zërat e botës; e këtu, natyrisht, përfaqësohet bota. Do të thosha se madje edhe Hëna deshi të vijë sa më shpejt sonte… Shikojeni atje lart, çfarë spektakli… Ne përfundojmë një ditë të madhe për paqen… Po, për paqen: “Lavdi Zotit e paqe njerëzve vullnetmirë”.
Nëse do t’ju pyesja, nëse do të mund të pyesja secilin prej jush: nga ç’anë vini? Bijtë e Romës, që veçanërisht përfaqësohen këtu, do të përgjigjeshin: ah, ne jemi bijtë më të afërt e ju jeni ipeshkvi ynë. Kështu pra, bij të Romës, ju e ndjeni vërtet se përfaqësoni Romën “caput mundi”, kryeqytetin e botës, siç është e thirrur të jetë në shekuj të shekujve, për hir të planit të Provanisë Hyjnore.
Unë si person nuk vlej asgjë: jam një vëlla që ju flet, një vëlla, që u bë atë për vullnetin e Zotit tonë… Prandaj, të vazhdojmë të duhemi, të duhemi kështu, duke e vështruar njëri-tjetrin si në këtë takim: duke marrë ç’na bashkon e duke lënë, nëse ka, ndonjë gjë, që mund të na krijojë sado pak vështirësi… Duke u kthyer në shtëpi do të gjeni fëmijët. Jepuni atyre përkëdhelje e u thoni: “Kjo është përkëdhelja e Papës”. Ndoshta, do të gjeni ndonjë lot për t’u fshirë. Kini fjalë ngushëllimi për ata, që vuajnë. Le ta dinë të vuajturit se Papa është me bijtë e vet, sidomos në orët e hidhërimit e të trishtimit… E pastaj, të gjithë bashkë, të gjallërohemi: duke kënduar, duke pëshpëritur, duke derdhur lot, por gjithmonë, me besim të plotë në Krishtin, që na ndihmon e na dëgjon, të vazhdojmë të ecim në rrugën tonë. Lamtumirë bijtë e mi. Bekimit për ju i shtoj edhe urimin për një natë të mirë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.