2012-10-06 16:58:57

Fillon Sinodi i Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri. Papa kremton Meshën e përurimit në Vatikan. Koment i atë Lombardit


Me ditën e nesërme, fillojnë veprimtaritë e mëdha të Kishës Katolike, të parashikuara për këtë muaj, në 50-vjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit, i cili e afroi më tepër krishterimin me botën moderne e të globalizuar. Paradite, Papa Benedikti XVI do të kremtojë, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Meshën e hapjes së Asamblesë XIII të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, me temë “Ungjillëzimi i ri për transmetimin e fesë së krishterë”. Sinodi, në të cilin Kisha Katolike do të diskutojë për mënyrat se si t’i flasë Popullit të Zotit në kohën tonë, do të përfundojë më 28 tetor. Nga Shqipëria, merr pjesë ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Kristofor Palmieri. Po kësaj jave, më 11 tetor, do të fillojë edhe Viti i Fesë, shpallur nga Papa Benedikti XVI e do të kujtohet hapja e Koncilit II të Vatikanit, që solli risi të mëdha në Kishë. Po nesër, gjatë kremtimit të Meshës, Ati i Shenjtë do të shpallë dy Doktorë, apo Dijetarë të rinj të Kishës Katolike. Janë shën Hildegarda e Bingenit dhe shën Gjoni i Avilës. Në përfundim të Meshës, Papa do të thotë bashkë me besimtarët Lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Por të kthehemi tek Sinodi i Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri, për të cilin flet në komentin e tij javor zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
“Edhe një herë, ipeshkvijtë e të gjithë botës janë thirrur nga Papa në Romë për një sinod. Sinod do të thotë “ta bëjmë rrugën bashkë”. Për të dëgjuar ç’na sugjeron e tregon Shpirti i Zotit, për të vazhduar udhën e Kishës në drejtimin e duhur.
Në Sinod nuk vihet vetëm për të folur, por edhe për të dëgjuar. Për të dëgjuar së bashku Fjalën e Zotit, por edhe për të dëgjuar zërat e përvojën e ipeshkvijve të tjerë të botës. Për të ndërthurur gjuhët e ndryshme e për t’u kuptuar, pavarësisht nga ndryshimet e jashtëzakonshme ndërmjet situatave e kulturave, duke gjetur kështu gjuhën e përbashkët, që i flet Kishës mbarë, i flet “katolicitetit” të saj, që do të thotë “universalitet”.
Të dëgjosh tjetrin me përvuajtëri dhe kujdes do të thotë të ndjekësh shkollën e Shpirtit Shenjt. Nëse kjo ndodhi shkëlqyeshëm në Koncilin II të Vatikanit, mund e duhet të ndodhë në masë më të vogël, por reale, në Sinod, në mënyrë që ai të përfaqësojë vërtet një kohë kolegjialiteti të ipeshkvijve rreth Papës, me shqetësim për misionin e Kishës.
Tema e “ungjillëzimit të ri” është absolutisht themelore. “Vaj për mua nëse nuk e kumtoj Ungjillin!”, thoshte Shën Pali, me tonin e tij të apasionuar. Tri javët e ardhshme të Sinodit nuk janë ndonjë konferencë studimore. Duhet të jenë një kohë shpirtërore, e jetuar me intensitet nga ata, që e dinë se bëhet fjalë për mesazhin e shëlbimit, për njohjen e Jezusit në botën e sotme e të nesërme, që “Biri i njeriut, kur të vijë, ta gjejë akoma fenë mbi Tokë”. Ipeshkvijtë të dëgjojnë njëri-tjetrin e të dëgjojnë Shpirtin Shenjt, e ne të lutemi bashkë me ta”.







All the contents on this site are copyrighted ©.