2012-10-05 12:44:02

Papa Gjon Pali II nga Otranto më 1980 denoncoi krimet komuniste në Shqipërinë


Ati i Shenjtë i Lumi Gjon Pali II më 1980 nga Otranto e Italisë kujtoi dhe denoncoi persekutimin e egër të komunizmit në Shqipëri. Si sot, më 5 tetor 1980, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, i Lumi Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve dhe të popullit të pafajshëm shqiptar, nën thundrën e diktaturës ateiste komuniste. Në homelinë e Meshës Shenjte të atij 5 tetori 1980, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, i Lumi Papa Gjon Pali II sensibilizoi mbarë botën me këto fjalë:
“E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare, besimtarë e qytetarë të thjeshtë”.
“Përveç tyre, mendimi im shkon edhe tek vëllezërit tjerë të krishterë e tek të gjithë besimtarët në Zotin të cilët pësojnë të njëjtin fat të heqjes në atë komb”.
Faleminderit Papës Gjon Palit II për atë që bëri për shqiptarët.Duam të kujtojmë me nderim të veçantë edhe veprimtarinë e të Lumit Papës Gjon Pali II në favor të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovës e kudo që ndodhen. Mjaftojnë fjalët që vetë Ati i Shenjtë Wojtila pat thënë në sheshin Skënderbe të Tiranës, në vizitën e tij historike e të paharrueshme të 25 prillit 1993, për të kuptuar dashurinë e dashamirësinë që kishte ndaj popullit martir shqiptar:
“Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjell farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar.
T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.