2012-10-05 16:39:10

Më 11 tetor, procesion në Romë për 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit


Ashtu si 50 vjet më parë, në ditën e hapjes së Koncilit II të Vatikanit, në mbrëmjen e 11 tetorit, një procesion me qirinj do të mbërrijë në Sheshin e Shën Pjetrit. “Kisha e bukur e Koncilit”: kjo është tema e kësaj nisme, organizuar nga Veprimi Katolik Italian, në bashkëpunim me dioqezën e Romës. Parashikohet që Papa t’i përshëndesë të pranishmit nga dritarja e Pallatit Apostolik. Kujtojmë se ardhja e besimtarëve me qirinj të ndezur në sheshin e Shën Pjetrit, 50 vjet më parë, bëri që Papa i atëhershëm, Gjoni XXIII të dilte në dritare e të shqiptonte atë, që hyri në histori me emrin “Fjalimi për Hënën”. Edhe kësaj radhe, procesioni do të jetë një çast gëzimi e lutjeje, siç na shpjegon në mikrofonin tonë, kryetari i Veprimit Katolik Italian, Franko Miano:RealAudioMP3
Koncili II i Vatikanit na thotë se detyra themelore e Kishës është t’i tregojë mrekullitë e Zotit njeriut të kohës sonë, t’i kumtojë atij Ungjillin e Krishtit. Mbi këtë bazohet dialogu, bashkëndarja, përgjegjësia e përbashkët: duhet të nisemi nga këto rrënjë të thella, në të cilat ne besojmë se është e rëndësishme të kthehemi. Ne nisemi nga Koncili, i cili duhet të na ndihmojë në këtë kohë të re, ku duam të dëshmojmë sa bukur është të jesh i krishterë.
Por ja një çast i Koncilit II të Vatikanit, treguar nga një person që e ka përjetuar vetë, ka qenë i pranishëm. Është drejtori i atëhershëm i gazetës së parë italiane me frymëzim katolik “L’Avvenire d’Italia” (E ardhmja e Italisë), Raniero La Valle:
Sot, dua të tregoj diçka, që ndoshta askush nuk e di. Ai “fjalimi i famshëm për Hënën” i Papës Gjoni XXIII u transmetua dhe u pa nga e gjithë bota, sepse atë mbrëmje isha në RAI (Radiotelevizioni Italian), në rrugën Teulada, për të përgatitur një dokumentar mbi Koncilin, që duhej të transmetohej në orën 21.00. Si drejtor i një gazete katolike, konsiderohesha ekspert i punëve të Kishës. E kishim përgatitur dokumentarin, por donim të vendosnim në të edhe ndonjë imazh nga procesioni me qirinj, që po zhvillohej në Vatikan. Por, surprizë: procesioni përfundoi me një fjalim të Papës, pikërisht me “Fjalimin për Hënën”, e atëherë, Luka Di Skiena, regjizor i madh i këtyre ngjarjeve, mori vendimin për ta lënë mënjanë dokumentarin e për të transmetuar Gjonin XXIII. E kështu, ai fjalim hyri në histori.







All the contents on this site are copyrighted ©.