2012-10-04 14:37:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: historia e Kolegjit Ilirik të Loretos


Në Loreto të Italisë, ku Papa shkoi sot e iu lut Zojës, në Shtëpinë e saj të Shenjtë, për Vitin e Fesë e për Sinodin e ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri, ndodhet edhe Kolegji Ilirik, ku kanë studiuar personalitete të shquara shqiptare. Mjafton të kujtojmë emrat e lidhura me hapat e parë të gjuhës së shkuar shqipe, si imzot Pjetër Budi, imzot Pjetër Bogdani, imzot Frang Bardhi, pastaj imzot Gjon Nikollë Kazazi, i cili gjeti për herë të parë Mesharin e Buzukut. Në vend të një fjale, kësaj radhe, për emisionin tonë, zgjodhëm një nga elementet e pranisë së Kishës në botë e pikërisht shkollën. Do t’ju flasim për historinë e Kolegjit Ilirik të Loretos, duke qenë të sigurtë se shuajmë kështu, kuriozitetin e të gjithë atyre, që ndoqën veprimtarinë e sotme të Benediktit XVI.
Historia e Kolegjit Ilirik të Loretos është e lidhur ngushtë me Urdhërin e Jezuitëve. Në gjysmën e dytë të shekullit XVI, kur devocioni për Virgjërën lauretane e për Shtëpinë e Shenjtë qe pararoja e mbrojtes së katolicizmit nga kritikat e botës protestante, numri i shtegtarëve nga e gjithë Evropa u rrit aq shumë sa guvernatori i Loretos, Gaspare de’ Dotti, i kërkoi ndihmë papës së atëhershëm Julit III, për ta ndihmuar klerin dioqezan me meshtarë, të cilët duhej të dinin shumë gjuhë për t’u siguruar kështu shtegtarëve, shërbimin e Rrëfimit. Urdhëri i ri i Shoqërisë së Jezusit dukej më i përshtatshmi. U themelua kështu, Kolegji i Jezuitëve në Loreto, më 1 nëntor 1554, ndërsa më 3 dhjetor, 14 rregulltarët e parë, të dërguar nga Shën Injaci i Lojolës, mbërritën në qytetin e Markes, me detyrën për të ndihmuar shtegtarët, për të predikuar e për të dhënë mësime katekizmi. Për 20 vjet me radhë, jezuitët lauretanë qenë protagonistë të një kursi të teologjisë morale, por më pas, të ashtuquajturit “rrëfyestarë”, morën në dorë drejtimin e një Kolegji, dashur nga Papa Gregori XIII për të rinjtë e Ilirisë, pra për gjithë rajonin evropian, që shtrihej nga Sllovenia, në Kroaci, në Bosnjë e deri në Shqipëri. Jezuiti Oracio Torselini, rektor e “maestro” i Kolegjit, kujton në shkrimet e tij qëllimin e edukimit në këtë shkollë: ndihma dhe përkrahja për ato kombe të vuajtura. Studimet ishin impenjative e përfshinin retorikën, humanizmin, fizikën, matematikën, të drejtën kishtare, filozofinë dhe teologjinë. Në përfundim, të rinjtë dilnin me diplomë universitare.
Në dhjetëvjeçarët, që ndajnë miratimin e Urdhërit nga publikimi i “Ratio studiorum”, pra i rregullave apo planit të studimit për formimin e rregulltarëve të Shoqërisë së Jezusit, jezuitët patën një rol shumë të rëndësishëm në edukimin e rinisë. Ata morën në dorë shumë kolegje dhe universitete të famshme në të gjitha vendet katolike evropiane e në kolonitë. Doracakët e shkruar nga jezuitët u konsideruan me autoritet të padiskutueshëm për një kohë të gjatë, edhe jashtë shkollave të tyre.
Por ç’përfshihej në “Ratio studiorum”, në këtë plan studimi, që ndiqej edhe në Kolegjin Ilirik të Loretos? Modeli i ndjekur ishte ideali letrar humanist i universitetit të Parisit, i cili kishte në bazë mësimdhënien graduale, një hap pas tjetrit, duke e ndarë shkollën në klasa, sipas moshave. “Ratio studiorum” përcaktonte detyrat e çdo mësuesi, vendoste për programet dhe metodat, duke parashikuar një kurs 5-vjeçar për degën humanistike, e cila kishte në qendër studimin e latinishtes dhe të klasikëve, në veçanti, veprën e Ciceronit. Pas kursit të parë, vazhdonin tre vjet filozofi dhe katër, teologji. Nga pikpamja metodologjike, u jepej rëndësi e madhe përsëritjeve dhe provimeve periodike. Dy ishin kriteret bazë të pedagogjisë injaciane: “cura personalis”, kuptuar si edukim i personalizuar me ndihmën e një tutori dhe, “magis”, ose këmbëngulja e edukatorit për t’u dhënë nxënësve ato bindje, që do t’u shërbenin për të njohur e zhvilluar të gjitha potencialitetet e tyre, duke shkuar me guxim përtej mediokritetit.
Në vitin 1594, i reduktuar vetëm në dhjetë studentë, Kolegji Ilirik i Loretos u zhvendos në Romë nga Papa Klementi VIII. Kthimi në Loreto, gjithnjë nën drejtimin e jezuitëve, u bë i mundur vetëm pas rreth 30 vjetësh, me bulën “Zelus Domus Dei”, të Papës Urbani VIII, më 1 qershor 1627. Rithemelimi i Kolegjit të Loretos u bë me 36 studentë. Kur Papa Klementi XIV e mbylli Urdhërin e Jezuitëve në vitin 1773, Kolegji kaloi kohë të vështira. Për një periudhë iu besua etërve barnabitë, por vetëm pushtimi francez qe vendimtar për mbylljen e tij, në vitin 1798. Megjithëse rithemelimi i Urdhërit i Shoqërisë së Jezusit ndodhi në vitin 1814, falë Papës Pio VII, jezuitët u kthyen në Loreto vetëm në vitin 1834, duke vazhduar të administronin Kolegjin Ilirik, i cili, ndërkohë, ishte shndërruar në konvikt për të rinjtë nga Piçeno, me një numër të kufizuar studentësh nga territoret e bregut lindor të Adriatikut. Kolegji u mbyll përfundimisht në vitin 1860, pasi territori i Markes iu aneksua Mbretërisë së Italisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.