2012-10-04 12:06:15

Papa në audiencën e përgjithshme: të lutesh do të thotë të rrish me Zotin, si me një mik, por lutja nuk është individualiste


Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa vazhdoi katekizmin e tij për një nga burimet më të privilegjuara të lutjes së krishterë, për liturgjinë, e cila për Benediktin XVI është “pjesëmarrje në lutjen e Krishtit, drejtuar Atit në Shpirtin Shenjt”. Kisha, tha Papa, bëhet e dukshme në shumë mënyra: përmes bamirësisë, përmes misionit, apo apostullimit. Por vendi ku e ndjejmë plotësisht si Kishë është liturgjia, pasi atëherë Zoti hyn në realitetin tonë dhe ne mund ta takojmë e madje, ta prekim.
Në liturgji, vazhdoi Ati i Shenjtë, çdo lutje e krishterë gjen zanafillën e fundin e saj. Por a i rezervojmë lutjes, hapësirë të nevojshme në jetën tonë?
“Lutja është marrëdhënie e gjallë e bijve të Zotit me Atin e tyre pafundësisht të mirë, me Birin e Tij Jezu Krishtin e me Shpirtin Shenjt. Prandaj, jeta në lutje do të thotë të jesh gjithnjë në praninë e Hyjit e të jesh i vetëdijshëm për këtë, t’i jetosh marrëdhëniet me Zotin, ashtu siç jetohen marrëdhëniet e zakonshme të jetës, ato me familjarët më të dashur, me miqtë e vërtetë; madje, marrëdhëniet me Zotin janë ato, që u japin dritë të gjitha të tjerave”.
Lutja e krishterë, kujtoi Papa, do të thotë ta shohësh Krishtin vazhdimisht e në mënyrë gjithnjë të re:
“…të flasësh me Të, të rrish në heshtje me Të, ta dëgjosh, të veprosh e të vuash me Të”.
Kështu, të krishterët rizbulojnë identitetin e tyre të vërtetë në Krishtin, pra bashkohen me Të. Lutja, shpjegoi Benedikti XVI, na ngre në lartësinë e Zotit e pjesëmarrja në liturgji, na nxit ta bëjmë tonën gjuhën e Kishës:
“Natyrisht, kjo ndodh në mënyrë graduale, pak nga pak. Duhet të zhytemi dalëngadalë në fjalët e Kishës, me lutje, me jetë, me vuajtje, me gëzim, me mendim. Është një udhë, që na shndërron”.
Por si mëson njeriu të lutet, si ta përmirësojmë gjithnjë e vazhdimisht mënyrën me të cilën i drejtohemi Atit Qiellor?
“Duke parë shembullin, që na ka dhënë Jezusi, Atynën, vërejmë se fjala e parë është “Atë” dhe e dyta “ynë”. Prandaj, përgjigjja është e qartë: mësoj si të lutem dhe e ushqej lutjen, duke iu drejtuar Zotit si Atë e duke u lutur-me-të-tjerët, duke u lutur me Kishën, duke pranuar dhuratën e fjalëve të saj, që pak nga pak, bëhen më familjare e marrin kuptim më të thellë”.
Në liturgji, theksoi Ati i Shenjtë, nuk është bashkësia që manifeston vetveten, por njeriu del nga vetvetja për të hyrë në bashkësinë e madhe e të gjallë, në të cilën vetë Zoti na ushqen. Liturgjia nënkupton universalitetin e Kishës:
“Liturgjia e krishterë është kulti i tempullit universal, që është Krishti i Ringjallur, krahët e të cilit hapen në kryq për t’i përfshirë të gjithë në përqafimin e dashurisë së amshuar të Hyjit. Është kulti i qiellit të hapur. Nuk është kurrë ngjarje e ndonjë bashkësie të veçuar, me vendin e vet në kohë e në hapësirë. Është e rëndësishme që çdo i krishterë ta ndjejë se bën pjesë në këtë “ne” universale, e cila i jep bazat dhe strehën “unit” vetjak në Korpin e Krishtit, që është Kisha”.
Nuk mund ta lusim Zotin në mënyrë individualiste, vazhdoi Papa. Liturgjia nuk varet prej nesh, por është veprim i Zotit në ne e me ne. Nuk është njeriu – qoftë meshtar, apo besimtar – ose grupi që kremton liturgjinë, por ajo është në radhë të parë, veprim i Zotit në historinë e njerëzimit, përmes Kishës:
“Edhe në liturgjinë e bashkësisë më të vogël është gjithnjë e pranishme krejt Kisha. Prandaj nuk ekzistojnë ‘të huaj’ në bashkësinë liturgjike. Në çdo kremtim liturgjik merr pjesë së bashku e gjithë Kisha, qielli e toka, Zoti e njerëzit”.
Në reflektimet mbi liturgjinë, përfundoi Benedikti XVI, shpesh përqendrohet vëmendja në mënyrën se si ajo mund të bëhet më tërheqëse, më interesante, por harrohet thelbësorja: liturgjia kremtohet për Zotin e jo për vetveten, është vepër e Hyjit. Prandaj, duhet ta lemë Zotin dhe Korpin e Tij, që është Kisha, të na udhëheqë.







All the contents on this site are copyrighted ©.