2012-10-04 15:34:11

Në Jordani, imzot Lahham shpreh frikën për manifestimin islamik të së premtes


“Të premten e ardhshme, partia e “Vëllezërve Myslimanë” ka organizuar një manifestim të madh kundër zgjedhjeve. Krerët fisnorë kanë kërcënuar se do të sjellin në sheshe, rreth 200 mijë vetë, të armatosur me thika e armë të tjera të ftohta, gati për të krijuar kaos. Shpresojmë që kjo të mos ndodhë”: janë fjalët e kryeipeshkvit Maroun Lahham, vikar patriarkal për Jordaninë i Patriarkatit latin të Jeruzalemit. Prelati përshkruan për agjensinë kishtare Fides, situatën në të cilën ndodhet mbretëria hashemite, me zgjedhjet e parashikuara në fund të vitit. Para perspektivës së destabilizimit të Jordanisë së mbretit Abdallah II, kryeipeshkvi thekson disa pika të panegociueshme: “Zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë zgjedhjet e para të lira e demokratike në Jordani. Qeveria do të emërohet, për herë të parë, nga partia e shumicës. Deri tani, mbreti ishte ai, që emëronte qeverinë e kryeministrin. “Vëllezërit Myslimanë” kanë shpallur me kohë se do t’i bojkotojnë zgjedhjet. Nëse premtimet për një garë zgjedhore të lirë e demokratike do të mbahen, kjo parti mund të ketë peshë në zhvillimet politike në vend. Nëse do të vazhdojë të mbështesë idenë e bojkotimit, qëndrimi i saj do të jetë vetëm negativ”.
Sipas imzot Lahham, në situatën delikate të Jordanisë ndikon paqëndrueshmëria e krejt rajonit të Lindjes së Mesme. “Në Siri – thotë ai për agjensinë Fides – gjendja është gjithnjë e më e errët. Deri tani, si Kishë, ngulim këmbë në thirrjen për paqe, për pajtim e falje, por nuk shihet asnjë rrugëdalje nga kjo krizë, me qeverinë që nuk lëshon pe, nga njëra anë, dhe me rezistencën, që duket se mbështetet gjithnjë e më shumë me armë nga jashtë, nga ana tjetër. Ndërsa afrohet dimri, bëhet dramatike gjendja e emigrantëve, të grumbulluar me mijëra në kampin e Zataarit. Ndër ta, janë infiltruar dhjetra agjentë sirianë, për të krijuar probleme edhe me Jordaninë. Kur zbulohen, dërgohen menjëherë mbrapsht në vendin e tyre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.