Ndeshje në kufirin Turqi-Siri: së paku 10 viktima. Nato-ja qorton Damaskun
Erë lufte fillon të fryjë ndërmjet Sirisë e Turqisë. Pesë ushtarë sirianë u vranë
në një bombardim turk, që u përgjigjej predhave të mortajës, hedhur dje nga Siria
drejt Turqisë, të cilat shkaktuan pesë viktima civile. NATO-ja, organizatë ku bën
pjesë edhe Ankaraja, i kërkoi Damaskut të ndalojë sulmet. Nga ana e saj, Rusia e këshilloi
Sirinë të deklarojë se fjala është për një incident. Edhe OKB-ja, përmes sekretarit
të përgjithshëm Ban Ki-mun, e paralajmëroi Sirinë të respektojë vendet fqinje. Por
çfarë mund ta ketë shtyrë Damaskun të dhunojë kufijtë e Turqisë? Pyetëm pedagogen
e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Firences, Maria Gracia
Enardu: Nuk është ndonjë vendim logjik apo politik, ndoshta mund të jetë dëshira
për të goditur rebelët dhe refugjatët përtej kufirit, ose thjesht, mund të jetë një
çast marrëzie. Nga të gjitha vendet përreth Sirisë, Turqia është më e rëndësishmja:
nuk është vend arab, prandaj nuk ka të bëjë me Lidhjen Arabe, e është edhe vendi më
i fortë – madje, më i fortë se Izraeli. NATO-ja, OKB-ja, kanë reaguar ashpër
ndaj këtij sulmi, duke e detyruar presidentin sirian al Asad të kërkojë falje. Ndërkaq,
parlamenti turk autorizoi sot ndërhyrjen e armatosur, nëse do të jetë e nevojshme.
Gjendja ndërlikohet… Sigurisht, sulmi kundër Turqisë sjell si pasojë jo vetëm
një qëndrim të ri nga ana e OKB-së – ku Rusia mbetet gjithnjë e më e izoluar në përkrahjen
për al Asadin – por nxit ndërhyrjen e një organizate shumë më operative, siç është
NATO-ja. Natyrisht, NATO-ja nuk e bën këtë menjëherë, por sipas nenit, që parashikon
ndërhyrjen ushtarake në rastin e sulmit kundër një shteti anëtar, mund të verë në
fuksionim një seri mekanizmash, edhe jo të drejtpërdrejta, për të ndihmuar Turqinë.
Nga ana tjetër, Rusia ka marrëdhënie të ndërlikuara me Turqinë për shkak të Kaukazit
e gjesti i djeshëm i Sirisë nuk besoj t’i ketë pëlqyer aleatit të saj të vetëm. Mendoj
se në Damask, regjimi ka humbur tashmë çdo kriter serioz vlerësimi për situatën.