2012-10-03 13:33:15

Sapë: shugurimi i Kishës së re të Shën Mihillit në Nënshat


Në kuadrin e kremtimeve jubilare të 950-vjetorit të themelimit të dioqezës së Sapës, Delegati Papnor kardinali Abtil Santos y Castello shuguroi Kishën e re të Nënshtatit të Zadrimës, kushtuar shën Mihillit Kryengjëll. Kjo bashkësi kishtare drejtohet nga Etërit Françeskanë Kapuçinë. Kisha e re është simbol i fuqisë së fesë në Zotin që ushqeu shpresën tek besimtarët edhe në periudhën më ashpër e të errët të persekutimit komunist. Po kështu kjo Kishë dëshmon edhe lashtësinë e pranisë së krishterimit në këto vende e treva, siç dëshmojnë gjurmët e shumë Kishave të lashta të rrënuara nga sunduesit e huaj gjatë shekujsh. Sot Kisha e re e shën Mihillit dëshmon edhe gjallërinë e popullit shqiptare dhe tregon udhën e ndërmarrë drejt vlerave shpirtërore, kulturore, shoqërore e kombëtare. Po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit..........RealAudioMP3

Gjatë kremtimeve të 950 vjetorit te themelimit te Dioqezes se Sapës, kujtojme se Eminenca e Tij Kardinal Abril Santos y Castello shuguroi edhe Kishën e re kushtuar Shën Mëhillit në Nënshat të Zadrimës, pikërisht në vendin ku u lind kjo Dioqezë. Bashkësia famullitare dhe Etërit Kapuçinë në Nënshat me gëzim morën pjesë në shugurimin e Kishës së re kushtuar pajtorit të kësaj famullie Shën Mëhillit. Në vigjiljen e festës së këtij shenjti besimtarë të shumtë ngarendën drejt kishës së re për të marrë pjesë në kremtimin eukaristik të udhëhequr nga Eminenca e Tij Kardinal Castello, në bashkëkremtim me Ipeshkëvin e vendit, Imzot Lucjan Avgustinin, Ipeshkëvin e Kosovës, provinciali i fretërve Kapuçinë nga Puglia dhe me mbarë klerin dioqezan.
Menjëherë pas fillimit të Meshës, i zoti i shtëpisë, Imzot Lucjan Avgustini shprehi mirënjohjen e tij të thellë për praninë e Eminencës së tij, Kardinal Castellon në shugurimin e Kishës së re ndërtuar në nder dhe lavd të të Madhit Zot dhe që shënon një faqe të re historike, për vetë faktin se është e mbushur me histori të kishave që ka në afërsi, duke filluar që nga rrënojat në majë të malit dhe që janë themelet e Katedrales së parë; pak metra më sipër kësaj kishe kemi katedralen e dytë kushtuar Shën Gjergjit, e cila ndriçon edhe sot si Dritë e Krishtit jo vetëm mbi këtë fshat, por mbi të gjithë Zadrimën tha Imzot Lucjani.
Në fjalën e rastit, Eminenca e Tij, Kardinal Santos theksoi se është çasti për të hapur zemrat tona në lavdet dhe falenderimet për Hyjin që na lejon të marrim pjesë në këtë rit liturgjik, të hapur ndaj mirënjohjes së sinqertë për të gjithë ata që kanë menduar për realizimin e këtij projekti. Të gjithë meritojnë një fjalë mirënjohjeje që në emër të Atit të Shenjtë dua t’ju shprehi, i cili është në dijeni të kësaj iniciative dhe me zemër i bekon të gjithë ata që kanë bashkëpunuar në realizimin e këtij projekti tha mes të tjerash i deleguari Papnonr, Kardinal Santos.
Gjatë ritit solemn të kushtimit të kishës së re, e cila ishte e mbushur me ndjenja gëzimi dhe lutjeje, Eminenca e Tij, bëri bekimin e mureve të tempullit të ri, që bekimi i Zotit të zbresë mbi popullin e krishterë. Më pas vazhduan ritet e lyerjes, kemimit, mbulimit dhe të shndritjes së elterit të cilat shprehin me shenja të dukshme disa aspekte të asaj vepre të padukshme që Zoti ushtron nëpërmjet Kishës, kur ajo kremton misteret hyjnore e në mënyrë të veçantë Eukaristinë.
E gjithë asamblea e shenjtë e mbledhur përreth elterit iu lutën zotit që të dërgojë bekime gjithnjë e më shumë për mbarë bashkësinë e krishterë të kësaj famullie, dhe falenderuan Zotin dhe bamirësit për ndërtimin e këtij tempull të ri. Violeta Marashi







All the contents on this site are copyrighted ©.