2012-10-03 17:59:11

Programi Shqip i Radio Vatikanit mbush 61 vjet.


Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 3 tetor, me mirënjohje ndaj Zotit e Zojës së Këshillit të Mirë, kujtojmë 61-vjetorin e themelimit të programit shqip të Radio Vatikanit.
Kjo që po dëgjoni tani e këtu RealAudioMP3 , është sigla e parë e programit të gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit, që nisi transmetimet radiofonike më datën 3 tetor të vitit 1951.
Ishte një kohë e veçantë, ajo para 61 vjetësh. Shqipëria gjendej nën diktaturën komuniste, Kosova ëndërronte arritjen e pavarësisë. Shqiptarët ishin të privuar nga liria, nga të drejtat themelore të njeriut, shumica të persekutuar, të dënuar e të ekzekutuar me vdekje, gjithmonë padrejtësisht. Para kalvarit të popullit shqiptar e posaçërisht të bashkësisë katolike në Shqipëri, Programi i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe, nuk mund të mos i niste transmetimet e veta radiofonike përveç se me meditimin e Udhës së Kryqit të Jezu Krishtit e, kështu t’i shoqëronte shqiptarët në udhën e gjatë të mundimit e deri në ditën e ngadhënjimit, deri në ditët e lirisë së rifituar e të rivendosjes së demokracisë, e edhe më tej, deri sot e në të ardhmen, dashtë Zoti. Kështu, për 61 vjet me radhë, Radio Vatikani në gjuhën shqipe përshkoi një rrugë mjaft të gjatë e bëri një mision mjaft të rëndësishëm për Fe e Atdhe.
Kjo sigël RealAudioMP3 , që vijon të dëgjohet çdo herë që hapet stacioni i Radio Vatikanit, së pari na kujton shërbimin që Radio Vatikani u bënë të gjithë dëgjuesve pa dallim, pa përjashtim, pra të gjithë qytetarëve e besimtarëve shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Greqi, në diasporë e kudo që ndodhën në botë, që 61 vjet e deri më sot. Radio Vatikani transmeton çdo ditë zërin e Papës e të Kishës në gjuhën shqipe duke ju drejtuar të gjithë shqiptarëve në të gjitha trevat.
E gjatë këtyre 61 vjetëve, vëmendjen e kemi përqendruar në misionin tonë thelbësor: në kumtimin e Ungjillit, në transmetimin e mesazhit të Krishtit e Papës për botën e sotme shqiptare. Ky është thelbi i misionit tonë.
Gjatë këtyre 61-vjetëve kohët ndryshuan e ndryshoi edhe sigla e programit si edhe mënyra e transmetimit! Kështu edhe puna jonë për t’i transmetuar popullit shqiptar Lajmin e Mirë dhe mësimet e porositë e Papës së Romës, u modernizua. Kur programi mbushi 55 vjet jete – një ndryshim i ri, qe hapja e faqes së Programit Shqip të Radio Vatikanit në internet : . Në skajin e djathtë të faqes lexohej titulli: “55-vjetori i themelimit të programit shqip pranë Radio Vatikanit”.
Këtë të re na e solli viti 2006, ndërsa më 10 nëntor 2005, në Radio të Papës ishte për vizitë kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha, i shoqëruar nga një grup politikanësh. Sillnin me vete Urdhrin e Artë ‘Nënë Tereza’, nderimi më i lartë që jep qeveria shqiptare e Tiranës. Iu dorëzua Radio Vatikanit për meritat e mëdha në kohët e vështira të diktaturës, kur ishte një nga zërat e pakta që transmetonin të vërtetën e ngjallnin shpresat për të ardhmen.
Duke marrë në dorëzim Urdhrin e lartë, Drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, përvijoi edhe programin tonë për të ardhmen:
Në se ne marrim një titull nderi për meritat e së kaluarës, duhet theksuar se e konsiderojmë si impenjim edhe për punën tonë në të ardhmen”.
Po edhe viti 2012 na solli një të re! Për programin shqip të Radio Vatikani, ashtu si për të gjitha programet e Radio Vatikanit për Evropën e Amerikën, data 30 qershor 2012, është e veçantë, madje mund të themi historike, sepse emisioni i kësaj dite qe i fundit që transmetohej me valë të shkurta e të mesme radiofonike.
Kështu, pas mase 80 vjetësh të emisionit në gjuhët më të mëdha të botës, e pas 61 vjetësh të emisionit transmetuar në gjuhën tonë të embël e të bukur shqipe, më emisionin e ditës së 30 qershorit 2012, Radio Vatikani i braktisi teknologjitë e vjetra radiofonike dhe vijoi transmetimet me teknologji të reja si interneti e sateliti.
Ky zhvillim teknologjik na dha mundësinë të jemi gradualisht të pranishëm në botën e komunikimit edhe ndër shqiptarë, me mesazhin e misionin tonë, në platforma të ndryshme.
Rruga bëhet ditë për ditë. Prandaj, Radio Vatikani mundohet të ndjek zhvillimin teknologjik, duke i qendruar misionit themelor, kumtimit të Ungjillit, transmetimit të mesazhit të Krishtit njerëzimit, e duke qenë në shërbim të Papës për shoqërinë bashkëkohore. Ky është thelbi i misionit tonë.
Teknikat ndryshojnë, por gjithnjë mundohemi t’i përdorim sa më mirë të jetë e mundur për realizimin e këtij misioni.
Sot shërbimet e Radio Vatikanit kalojnë nga interneti në celularë, ose në mjete të tjera. Shumë udhë! E rëndësishme është të dimë ç’të themi, ta kemi të qartë thelbin e misionit, të jemi të bindur, të kemi lajme të mira për t’u dhënë njerëzve – Ungjillin, pra, Lajmin e Mirë – e shqetësimi ynë i krishterë për të mirën e të gjithë njerëzve të na motivojë për t’ia çuar këtë Lajm atyre që duan ta dëgjojnë, me celular, me kompiuter, me valë herciane…s’ka rëndësi mjeti.
Ne transmetojmë me këtë mjet radiofonik në internet e satelit, fjalë, që janë shpresë për shumë njerëz në situata nga ma të ndryshme. Këto janë shërbimet e mëdha të këtij mjeti radiofonik.
Po, vitet kalojnë njëri pas tjetrit, e “Laudetur Jesus Christus”, përshëndetja me të cilën hapen e mbyllen gjithnjë transmetimet e Radio Vatikanit, nuk është thjeshtë një lloj motoje apo sigle, por program pune e stil jete për secilin nga ne.
Radio Vatikani, me 43 gjuhët e veta, ndërmjet të cilave edhe gjuha shqipe, është mjet teknik i fuqishëm për përhapjen e mesazhit të Krishtit e të Kishës në botë, posaçërisht në vendet ku liria fetare kufizohet, ku dinjiteti e jeta e njeriut nuk respektohen, ku të drejtat njerëzore mohohen e ku përdorimi i teknologjisë moderne është akoma mirazh.
Pra, më 3 tetor 19351 u përurua transmetimi i Radio Vatikanit në Gjuhën Shqipe, me një program kushtuar Udhën së Kryqit, nën drejtimin e prifti shqiptar dom Zef Shestanit. Kështu, pas 61 vjetësh, programi shqip i Radio Vatikanit, që filloi transmetimin me valë të shkurta e të mesme, më 30 qershor 2012, përfundoi transmetimet e emisioneve radiofonike në këto valë të shkurta e të mesme, për vijuar me teknologji të reja përmes internetit e satelitit, e falë edhe ritrasnemtimit të programit tonë nga Radio Maria në Shqipëri në ora 21.35 minuta.
Dëgjues të nderuar të Radio Vatikanit, kudo që jeni në atdhe e në botë, duke ju falënderuar për besnikërinë tuaj me të cilën na keni përcjellur këtyre viteve, përmes valëve radiofonike të teknologjive tashmë në pension, jemi të sigurt që keni vazhduar e do të vazhdoni të na dëgjoni edhe në të ardhmen, përmes teknologjive të reja të internetit e të satelitit.
Kështu, po kujtojmë se që nga dita e 1 korrikut 2012, emisionet radiofonike të Radios së Papës në gjuhën shqipe mund të ndiqen në faqen e internetit .
Pastaj përmendim se, në ora 21.00 të mbrëmjes dhe në ora 7.20 të mëngjesit, në satelitin Eutelsat Hotbird 8, duke e kthyer antenën me 13 gradë në Lindje e duke kërkuar kanalin e Telepaces, gjuha angleze, mund të na dëgjoni në shqip. Për ata që na ndjekin nga Roma, mbetet vala e mesme 1260 kHz.
Vazhdoni ta dëgjoni Radio Vatikanin, vazhdoni ta dëgjoni zërin e Papës nga zemra e Kishës, nga Vatikani. E porosia e Papës, për të ecur përpara me guxim, vazhdon të ndriçojë hapat e programit shqip, në shërbim të Atit të Shenjtë, të Kishës e të kombit shqiptar.
“Laudetur Iesus Christus!” duke lavdëruar Jezu Krishtin fillon e mbaron që prej 61 vjetësh programi i Gjuhës Shqipe pranë Radio Vatikanit, që dërgon në eter mesazhin e Birit të mishëruar të Zotit, mesazhin e paqes e të drejtësisë, mesazhin e vëllazërimit, të pajtimit e të amshimit, ndërsa në sfond dëgjohen tingujt e himnit simbolik: "Krishti fitoi, Krishti sundon, Krishti do të mbretërojë"! "Laudetur Iesus Christus!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.