Me 3 tetor kalendari kujton shën Kandidën, martire
Sot me 3 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Kandidën nga Roma, martire. Dihet
shumë pak për martiren romake, që kujtohet vetëm në një lapidar të skalitur në kohën
e Papës Pasqualit I. Prej këtij lapidari mësojmë se trupi i saj, i martirizuar në
Romë, u mbart nga katakombet e Prishilës dhe u varros në Kishën e Shën Presedes në
Eskuilin. Më pas reliket u mbartën përsëri dhe u vendosën në Kishën romake të Zojës
së Mrekullive. Shtatorja prej dylli, brenda së cilës ruhen këto relike, e veshur me
petka të epokës, e mbrojtur nga një urnë qelqi, u vendos në kapelën e dytë më të djathtë
të elterit të madh, që iu kushtua Martires. Sipas bolandistëve, siç quhen autorët
e jetëshkrimit të martirëve, Kandida dha dëshminë e gjakut për Krishtin së bashku
me Shën Artemin e Shën Paolinën, që kremtohen më 6 qershor. Kështu, liturgjia e
festës së Shën Kandidës martire, na nxit të meditojmë për detyrën tonë si të krishterë
në ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Është thirrje themelore, që Jezusi na e përsërit
çdo çast, duke na kujtuar se kjo thirrje duhet të na nxisë t’i duam të tjerët e jo
ta ndjejmë veten më të mirë se ata.